Lidhje

Sfidat e zgjerimit të Bashkimit Evropian - 2004-02-21


Këtë pranverë, Evropa do të festojë sërish. Organizata, e cila në fillim ishte një bashkim i disa shteteve për çështje ndërkufitare në vitet 50, është gati t’u hapë dyert shumicës së vendeve të ish-bllokut lindor të Evropës. Ky do të jetë zgjerimi më i madh në historinë e kësaj organizate dhe siç thotë Martin Walker, korrespondenti ndërkombëtar i agjencisë UPI, është një lloj ngazëllimi.

“Në fund të fundit, ne tani kemi një bashkësi prej 15 shtetesh në këtë organizatë, me një popullsi prej 375 milionë banorësh dhe të ardhura të përgjithshme prej 10 trilionë dollarësh në vit, përafërsisht të njejtë me atë të Shteteve të Bashkuara. Me një maj kjo organizatë do të zgjërohet edhe më tej. Më në fund po bëjmë një gjë të drejtë duke anëtarësuar jetimët e Luftës së Ftohtë, viktimat e perandorisë sovjetike të Stalinit: Estonia, Lituania, Latvia, Polonia Çekia dhe Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Qiproja dhe Malta.”

Vendet e reja bënë që vendet anëtarë të punonin për një kornizë ligjore, e përshtatshme për familjen e zgjeruar evropiane. Radek Sikorski, studjues në Institutin American Enterprise këtu në Washington, thotë se vetëm një gjë mungon.

“Mendoj se Evropa duhet të ketë një kushtetutë. Unë e shoh Evropën, thotë ai si një shtet federal. Nëse një vend ka flamurin, hymnin, burokracinë, kufij të jashtëm, një politikë tregtare, mardhënie diplomatike e të tjera, padyshim që kemi të bëjmë me një shtet.”

Megjithatë ideja e Bashkimit Evropain për të promovuar bashkim duke ruajtur larminë racore ka qënë e vështirë. Teksti i kushtetutës, i cili është diskutuar për 2 vjet, ende ngre shumë pikpyetje mes anëtarëve të bashkimit. Zoti Sikorki shpreson për një kushtetutë të qartë që të mund ta mësojnë edhe fëmijët nëpër shkolla dhe jo një dokument gjigant dhe me shumë paqartësi.

“Para se gjithash nuk më pëlqen madhësia e këtij dokumenti prej 75 mijë fjalësh, në krahasim me kushtetutën amerikane prej gjithsej 7 mijë e 500 fjalësh. Mendoj se vetëm kushtetuta indiane ka më shumë fjalë.”

Zoti Sikorski sheh edhe probleme të tjera në këtë dokument. Ai thotë gjithashtu se ky dokument ofron shumë pak mbrojtje për bizneset nga taksat e larta. Në fakt ai mendon se ky dokument më shumë se një kushtetutë është një manifest i cili mundohet të zgjidhë probleme që duhej të zgjidheshin nga një proces politik.

Disa analistë mendojnë se Bashkimi i zgjeruar Evropian do të ketë sukses përmes integrimit ekonomik. Zoti Martin Walker mendon se shtetet e reja do të sjellin një freski në zonën e evropiane por ai paralajmëron se përmirësimi ekonomik nuk do të bëhet menjëherë.

“Më 1 maj Bashkimi Evropian do të zgjerohet me 10 vende të reja. Atë ditë, popullata e Bashkmit Evropian do të shtohet me 20 pëqind, mirëpo të ardhurat do të shtohen vetëm me më pak se 5 përqind,” thotë zoti Walker.

Ekonomia evropiane, vazhdon ai, ka kaluar kohë të vështira vitet e fundit. Ekonomia gjermane për shembull është dëmtuar rëndë. Ajo franceze nuk është në gjendje më të mirë. Një sfidë e Bashkimit Evropian është që të sigurojnë një sukses afatgjatë për valutën e përbashkët Euro. Vendet e reja anëtare do të kenë Euron si valutë të tyre, por do të duhen të paktën pak vjet për të përmbushur kriteret e Bashkmit Evropian. Zoti Walker thotë se megjithë vështirësitë, pranimi i vendeve të reja është një gjë pozitive.

“Nga njëra anë, unë mendoj se ne po i japim fund një padrejtësie historike të ndarjes së evropës pas luftës së dytë botërore nga Stalini. Dhe së dyti mendoj se ne po fusim një energji të re e cila do ta vërë Evropën sërish në lëvizje.”

Analistët thonë se Bashkimi Evropian nuk ka qenë në gjendje të flasë me një gjuhë në disa raste. Anketat tregojnë se evropianët nuk kanë një lidhje identiteti përtej kufijve të tyre kombëtar apo një ndjenjë për një të ardhme të përbashkë, megjithatë kritikët pajtohen me një gjë: se Bashkimi Evropian do të ekzistojë për një kohë të gjatë dhe kjo organizatë duhet të përcaktojë vetveten dhe të vendosë se çfarë dëshiron të arrijë.//kk//

XS
SM
MD
LG