Lidhje

Haiti: opozita vazhdon të kërkojë dorëheqjen e presidentit të vendit - 2004-02-22


Në Haiti, opozita vazhdon të kërkojë dorëheqjen e presidentit të vendit, Zhan Bertrand Aristide, megjithëse ai pranoi një marrëveshje për ndarjen e pushtetit, e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar.

Një ekip diplomatësh të huaj, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, u takua dje për më shumë se 4 orë me udhëheqësit e opozitës në Porto-Princ pasi më parë siguruan pranimin nga presidenti Aristide të një plani për të formuar një qeveri të re me kundërshtarët e tij politikë.

Njëri prej diplomatëve u tha gazetarëve se udhëheqësit e opozitës nuk e pranuan planin, por ata as nuk e kundërshtuan atë. Diplomati tha se opozita ka kohë deri nesër që të japë përgjigjen e saj. Por një diplomat tjetër tha se delegacioni do të kundërshtojë çdo ndryshim të planit.

Në bazë të këtij plani do të zgjidhej një kryeministër i ri i pranueshëm nga opozita dhe një kabinet i ri, ndërkohë që presidenti Aristide do të lejohej të qëndronte në pushtet deri në fund të mandatit të tij në vitin 2006. Presidenti tha dje se plani kërkon gjithashtu çarmatimin e grupeve kryengritëse, të cilët kanë udhëhequr një kryengritje të dhunshme në Haitin verior gjatë 2 javëve të fundit. Por ai përjashtoi mundësinë që të meret me kryengritësit, të cilët i ka përshkruar si banditë dhe terroristë.

Ndërkohë, departamenti amerikan i shtetit u dha urdhër familjeve të personelit të ambasadës dhe personelit jo-emergjent që të largohen nga Haiti. Në këtë urdhër, departamenti i shtetit tha se nuk është e sigurtë që të qëndrohet në Haiti për shkak të asaj që u përshkrua si situatë sigurie në keqësim. Në urdhër gjithashtu këshillohen të gjithë qytetarët amerikanë që të largohen nga Haiti.

//ze//

XS
SM
MD
LG