Lidhje

Transferimi i vendeve të punës jashtë Amerikës, bëhet temë zgjedhjesh - 2004-02-22


Transferimi i vendeve të punës jashtë Shteteve të Bashkuara për ulur koston e verpimtarisë së biznesit është shndërruar në një çështje të rëndësishme garën për emërimin si kandidat i Partisë Demokrate për president ndërmjet senatorit John Kerry të shtetit Massachussetts dhe Senatorit John Edwards të Karolinës së Veriut.

Për David Bevardin nga Galesburgu i shtetit Illinois, shqetësimi për humbjen e vendeve të punës nuk është një çështje abstrakte.

Ai ka punuar për 30 vjet në prodhimin e frigoriferëve për korporatën Maytag dhe tani ndodhet përballë mundësisë që, në të ardhmen, t’i duhet të kërkojë punë tjetër, ndërkohë që po i afrohet koha për të dalë në pension.

“Gjithmonë kemi besuar se po punon me shpirt, shlyen detyrimet, respekton rregullat dhe prodhon mallra me cilësi, do të shpërblehesh. Në vend të shpërblimit kompania po i transferon 1 mijë e 600 vende pune në Meksikë dhe Korenë e Jugut. Kjo do të jetë një fatkeqësi për komunitetin tonë prej 34 mijë banorësh”.

Zoti Bevard foli në një tubim të organizuar nga sindikatat më të mëdha të vendit të cilat përfaqësojnë më shumë se 13 milionë punëtorë. Kjo sindikatë mbështet tani Senatorin John Kerry.

Shqetësimi për humbjen e vendeve të punës është bërë çështje kryesore në garën mes demokratëve dhe ndihmoi që senatori John Edwards të ngushtojë diferencën e tij me senatorin Kerry në zgjedhjet paraprake në Wiskonsin.

Senatori Edwards thotë se ka mbështetur më pak se konkurrenti i tij, Kerry, marrëveshjet e tregëtisë së lirë, dhe në fjalimet që mban, po përqendrohet tek çështja e humbjes së vendeve të punës.

“Kemi transferuar më shumë se 1 milionë vende pune jashtë Amerikës në kuadër të garës për krah më të lirë pune. Shtëpia e Bardhë tha para dy javësh se transferimi i vendeve të punës jashtë Amerikës është diçka pozitive. Në çfarë planeti jetojnë këta njerëz? Por më lejoni t’ju them diçka tjetër: do të kishte qenë mirë që kjo administratë ta linte punën”.

Nga ana tij, Senatori Kerry tani mban qendrim kritik ndaj marrëveshjeve të tregëtisë së lirë dhe thotë se në marrëveshjet e ardhshme duhen përfshirë klauzola më të rrepta në lidhje me mbrojtjen e vendeve të punës e të mjedisit.

Çështja e vendeve të punës mund të kthehet në një pikë të dobët për Presidentin Bush, ndërkohë që po e intensifikon fushatën e tij për t’u rizgjedhur. Vishtërsitë e presidentit në këtë pikë u shtuan kur kryetari i këshillit konsulent të presiodentit për çështje ekonomike tha se transferimi i vendeve të punës jashtë vendit është pozitiv për ekonominë amerikane.

Jack Pitney është studies i çështjeve politike.

“Në një këndvështrim të ngushtë ekonomik mund të argumentohet një gjë e tillë, por politikisht, ajo ishte një deklaratë tepër e dëmshme për Shtëpinë e Bardhë dhe, kuptohet, demokratët po e shfrytëzojnë”.

Demokratët po e akuzojnë Presidentin Bush si të papërgjegjshëm për humbjen e 2 milionë e 700 mijë vendeve të punës që nga ardhja e tij në detyrë. Por presidenti po kundërpërgjigjet duke thënë se shkurtimet e taksave do të ndihmojnë bizneset amerikane të hapin vende të reja pune.

“Nëse je i interesuar në krijimin e vendeve të punës, përse të mos përqendrohesh tek krijuesit e tyre? Kështu shkrutimi i taksave u miratua nga Kongresi jo vetëm për të ndihmuar individët, por edhe sektorin e biznesit të vogël”.

Votuesit në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate i kanë radhitur gjithmonë vendet e punës dhe gjendjen ekonomike si një nga shqetësimet e tyre më kryesore dhe shumë ekspertë politikë parashikojnë që kjo të jetë çështje themelore në zgjedhjet e nëntorit. Analisti William Schneider thotë se për votuesit kjo çështje është edhe më e rëndësishme se ajo e Irakut.

Megjithatë shumë ekspertë parashikojnë se votuesit amerikanë do të jenë po aq të shqetësuar për çështjen e sigurimit kombëtar dhe besojnë se kjo çështje favorizon Presidentin Bush.//kk//

XS
SM
MD
LG