Lidhje

Zbulohen mbi 50 varre masive të regjimit të Sadam Huseinit - 2004-02-23


Një vit më parë ligji i vetëm i Irakut ishin tekat e Sadam Huseinit. Sot, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po punon me Këshillin Qeverisës të Irakut për të përgatitur ligjin bazë ku të përfshihet karta e të drejtave të njeriut. Presidenti George Bush tha se irakianët “po bëjnë përparime të përditshme drejt demokracisë.”

“Qytetarët e Irakut nuk kanë përse t’i tremben policisë sekrete të diktatorit, apo mundësisë se do të përfundojnë në varre masive. Dhomat e torturës janë mbyllur. Ndër 55 zyrtarët më të lartë të regjimit të mëparshëm, kemi kapur apo vrarë 46,” tha presidenti.

Krimet e Sadam Huseinit kundër popullit irakian po hetohen me kujdes. Që pas rrëzimit të regjimit në maj 2003, ka pasur njoftime për 270 varre masive. Deri në mes të muajit të kaluar, hetuesit kishin konfirmuar më shumë se 50 nga këto varre. Në disa prej tyre janë varrosur dhjetëra trupa, të lidhur nga krahët dhe me vrima plumbash pas koke. Varre të tjera shtrihen për qindra metra, të mbushur me mijëra trupa.

Ndër të vrarët ka kurdë, shiitë dhe suni. Ka gjithashtu edhe egjiptianë, kuvaitianë dhe iranianë.

Settar Khalaf, një bari gjedhësh, u tregoi hetuesve të organizatës Human Rights Watch rreth një vendi në afërsi të qytetit Basra. Zoti Khalaf tha se në pranverën e vitit 1999 kishte parë buldozerë që hapnin tre gropa. Të nesërmen ai tha se kishte parë autobusë që kishin sjellë 80 deri në 100 persona. Të burgosurit ishin vënë në rresht para gropave dhe ishin pushkatuar. Buldozeri kishte mbuluar trupat me dhe.

Sipas përllogaritjeve të Shteteve të Bashkuara, Kombeve të Bashkuara, organizatës Amnesty International dhe organizatës Human Rights Watch, regjimi i Sadam Huseinit vrau qindra mijëra vetë. Një raport i botuar nga Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar bën të ditur se “nëse provohet se numrat janë të saktë, ato përfaqësojnë një krim kundër njerëzimit, përmasat e të cilit i kalojnë vetëm gjenocidi i Ruandës i vitit 1994, fushat e vrasjes së Pol Potit në Kamboxhia në vitet ’70 dhe holokausti nazist kundër hebrenjve evropianë gjatë Luftës së Dytë Botërore.”

//ad//

XS
SM
MD
LG