Lidhje

Haiti: Forcat kryengritëse marrin nën kontroll qytetin e dytë për nga madhësia, Cap Haitien - 2004-02-23


Forcat kryengritëse në Haiti kanë marrë nën kontroll qytetin e dytë për nga madhësia, Cap Haitien.

Gjatë kryengritjes 17 ditëshe kundër presidentit Jean Bertrand Aristide, kryengritësit kanë marrë nën kontroll të gjitha komunat kryesore në pjesën veriore të vendit, si dhe disa qytete në rajonet qendrore të vendit. Të paktën 55 vetë janë vrarë nga luftimet.

Dje kryengritësit morën nën kontroll aeroportin e qytetit Cap Haitien, ku të paktën 3 veta u vranë gjatë luftimeve. Kryengritësit më pas përparuan drejt qendrës së qytetit. Forcat e pakta policore kishin ngritur barrikada në rrugët kryesore, të cilat nuk i bënë dot ballë sulmit të kryengritësve.

Sipas njoftimeve të dëshmitarëve, në qytetin Cap Haitien ka pasur grabitje të shumta dhe janë liruar të burgosurit nga burgu. U dëgjuan gjithashtu të shtëna sporadike dhe janë zhvilluar edhe protesta kundër presidentit Arisitide.

Në kreyqytetin Port au Prince, presidenti tha se do të dërgonte përforcime me policë në Cap Haitien, por nuk dha hollësi të mëtejshme.

Kryengritësit janë zotuar të vazhdojnë luftën derisa të marrin kryeqytetin Port au Prince. Haiti nuk ka ushtri që të mund ta përdorë kundër kryengritësve.

Ndërkaq, udhëheqësit e opozitës haitiane nuk kanë pranuar një plan ndërkombëtar të përgatitur nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, në bazë të të cilit ata do të ndanin pushtetin me zotin Aristide. Ata kanë premtuar të bëjnë të ditur vendimin e tyre përfundimtar lidhur me këtë propozim sot në orën 22 sipas orës universale.

Zoti Aristide e pranoi planin gjatë bisedimeve të djeshme me diplomatë ndërkombëtarë.

//ze//

XS
SM
MD
LG