Lidhje

Sëmundjet e zemrës, shkaku kryesor i vdekshmërisë tek gratë - 2004-02-23


Studimet tregojnë se shumë gra amerikane mendojnë se kanceri i gjirit është kërcënimi më i madh për shëndetin e tyre. Por 10 herë më shumë gra vdesin nga sëmundjet kardio-vaskulare se sa nga kanceri i gjirit. Goditjet në zemër dhe në tru janë sëmundjet që shkaktojnë më shumë vdekje si tek burrat ashtu edhe tek gratë.

Kanceri i gjirit shkakton vdekjen e rreth 40 mijë grave në Shtetet e Bashkuara çdo vit. Por goditjet në zemër dhe në tru shkaktojnë rreth 500 mijë vdekje. Në fakt, 15 përqind më shumë gra se sa burra vdesin nga sëmundjet kardio-vaskulare. Megjithatë shumë njerëz ende mendojnë se sëmundjet e zemrës prekin kryesisht burrat.

Shoqata Amerikane e Sëmundjeve të Zemrës ka udhëzime të reja që ndihmojnë parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru tek gratë. Kjo shoqatë i boton këto udhëzime në revistën e saj.

Për shembull, revista udhëzon gratë që të mos përdorin kura për zëvëndësimin e hormoneve si mënyrë për të mbrojtur zemrën. Kurat e zëvëndësimit të hormoneve është për gratë që kanë kaluar menopauzën. Por studimet e fundit tregojnë se kjo kurë mund të bëjë më shumë dëm se sa dobi.

Udhëzimet nxisin gjithashtu gratë të jenë në dijeni të rreziqeve të tyre ndaj goditjeve dhe sëmundjeve në zemër. Sipas këtyre udhëzimeve, gratë duhet të bisedojnë me mjekun rreth këtyre rreziqeve duke filluar që në moshën 20 vjeçare.

Shoqata Amerikane për Sëmundjet e Zemrës ka faqen e saj në Internet, e cila mund t’i ndihmojë njerëzit të masin nivelin e tyre të rrezikshmërisë. Adresa është americanheart.org.

Përdoruesit e kësaj faqeje duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve. Ata japin moshën dhe përgjigjen në se pinë duhan apo jo. Ata duhet të dinë nivelin e kolesterinës në gjak si dhe tensionin e gjakut.

Në se pikët e përgjithshme janë poshtë 10 përqindëshit rreziku konsiderohet i ulët. Kjo do të thotë se gruaja ka më pak se 10 përqind shanse të pësojë një goditje në zemër për 10 vjet. Niveli i dytë, nga 10 deri në 20 përqind konsiderohet i një rreziku të mesëm. Mbi 20 përqind rreziku është i lartë.

Shoqata Amerikane e Sëmundjeve të Zemrës thotë se gratë me rrezik të lartë duhet t’i kërkojnë mjekut ilaçe për uljen e kolesterinës. Rekomandohet gjithashtu që gratë të kërkojnë ilaçe në se tensioni i tyre i gjakut është 140 me 90 ose më i lartë.

Në bazë të udhëzimeve të Shoqatës Amerikane për Sëmundjet e Zemrës, gratë me nivel rreziku të mesëm ose të lartë duhet të pijnë një aspirinë në ditë. Aspirina mund të ulë rrezikun e një goditjeje në zemër. Edhe një herë adresën në Internet, americanheart.org. Americanheart shkruhet si një fjalë.

//rd//

XS
SM
MD
LG