Lidhje

Presidenti Rugova, dënon sulmin ndaj ministrit  Ethem Çeku - 2004-02-23


Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, dënoi ashpër sot sulmin ndaj Ministrit për Ambient dhe Planifikim Hapësinor, Ethem Çeku dhe katër personave të tjerë, duke kërkuar që rasti të hetohet urgjentisht dhe autorët e këtij sulmi të nxirren para drejtësisë së Kosovës.

“Ky akt kriminal është i drejtuar kundër institucioneve demokratike të Kosovës dhe dëmton procesin e konsolidimit të institucioneve të vendit”, thotë presidenti i Kosovës.

Kryeadministratori i Kombeve të Bashkuara Harri Holkeri, e ka dënuar këtë sulm, duke thënë se ai minon zbatimin e ligjit dhe është kundër procesit demokratik në Kosovë, ndërkohë që kryeministri dhe qeveria e kosovës kanë theksuar se një veprim i tillë kriminal paraqet sulm kundër institucioneve të Kosovës dhe bie ndesh me proceset demokratike në Kosovë, përfshirë të drejtat elementare të njeriut.

Policia dhe ekspertët e kriminalistikës në Kosovë po vazhdojnë hetimet dhe mbledhjen e fakteve në lidhje me plagosjen të shtunën në mbrëmje, të ministrit të mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Ethem Çeku, dhe katër personave të tjerë, nga të cilët, dy ishin anëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Zoti Çeku dhe katër personat e tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi në veturën zyrtare të ministrit, ndërkohë që dy anëtarët e TMK-së, kishin qenë në shërbim, pranë vendit ku ndodhi shpërthimi.

Zëdhënësi i policisë së kosovës, Refki Morina i tha Zërit të Amerikës, se katër nga të plagosurit do të dalin sot nga spitali ndërsa njëri prej tyre do të vazhdojë shërimin. Ndërkohë po sot, qytetarë serbë protestuan në Graçanicë pranë Prishtinës, pas vrasjes së dy serbëve pak ditë më parë, për të cilët ende nuk kanë përfunduar hetimet. Zëdhënësi i policisë tha se protesta ka kaluar pa incidente. Megjithë incidentet e shkëputura, zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtarë e vlerësojnë të mirë gjendjen e sigurisë në Kosovë, ndërkohë që kërkojnë një angazhim më të madh të autoriteteve për hetimin e rasteve të dhunës. ***kh***

XS
SM
MD
LG