Lidhje

7 të vrarë nga shpërthimi vetëvrasës në qytetin Kirkuk - 2004-02-24


Nga shpërthimi vetëvrasës në një stacion policie në qytetin verior të Irakut, Kirkuk, humbën jetën të paktën 7 persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë.

Zyrtarët e policisë irakiane thanë se shumica e viktimave nga shpërthimi në pjesën kurde të qytetit ishin policë. Qindra policë dhe irakianë të tjerë që punojnë me forcat e koalicionit në Irak janë vrarë nga shpërthime të tilla gjatë disa muajve të fundit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, mbërriti në Bagdat pak pas shpërthimit, për tu takuar me zyrtarë ushtarakë amerikanë dhe pjesëtarë të forcës së re irakiane të sigurisë.

Ndërkohë, në një raport që iu paraqit të hënën Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thuhet se zgjedhjet në Irak mund të zhvillohen nga fundi i këtij viti ose në fillim të vitit 2005, nëse udhëheqësit irakianë bien dakord dhe miratohet një ligj për zgjedhje.

Në raport thuhet se do të duhen të paktën 8 muaj për organizimin e zgjedhjeve të besueshme. Udhëheqësit e komunitetit të fuqishëm shiit të Irakut kanë thënë se kërkojnë që një qeveri kalimtare të zgjidhet se më shpejt që të jetë e mundur.

XS
SM
MD
LG