Lidhje

Rusia dhe zgjerimi i Natos - 2004-02-24


Në maj, Natoja dhe Bashkimi Evropian do të zgjerojnë radhët me anëtarë të rinj nga Evropa Lindore, ndër të cilët republikat ish sovjetike Lituania, Letonia dhe Estonia. Ngrihet pyetja: si e shikon Rusia këtë prirje? Çfarë do të ndodhë me vendet që shtrihen ndërmjet Rusisë dhe perëndimit, si Bjellorusia, Ukraina dhe Moldavia si dhe enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Balltik.

Kur në vitet ’90, tre vende ish-komuniste, Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke shprehën dëshirën për t’u antarësuar në Nato, Moska reagoi me zemërim dhe kërcënim.

Megjithatë aleanca iu përmbajt planeve për zgjerim dhe Rusia gradualisht e zbuti retorikën, por zgjerimi i Natos mbetet një temë delikate në marrëdhëniet ruso-perëndimore. Me zgjerimin e Natos dhe Bashkimit Evropian këtë vit, me tre republikat balltike, këto organizata do të kenë një kufi të përbashkët me Rusinë.

Por duket se kësaj radhe nuk do të ketë protesta të hapura. Profesori i marrëdhënieve me jashtë në Universitetin Princeton, Jack Matlock, thotë se presidenti Putin e ka kuptuar se është e pamundur të ndalet raundi i fundit i zgjerimit:

”Mendoj se e kanë kuptuar gjithashtu se është në kundërshtim me interesat e Rusisë nëse ndodh një gjë e tillë. Jam i bindur se në Rusi ka forca, kryesisht nacionalistët, të cilët përpiqen ta shfrytëzojnë këtë çështje si një lëvizje negative.”

Daniel Hamilton i Qendrës për Marrëdhënie Ndëratlantike thotë se pranimi i republikave ish sovjetike në Bashkimin Evropian mund t’i sjellë Rusisë disa përfitime, pasi pritet të rrisë ndjeshëm tregëtinë.

Por disa analistë besojnë se zgjerimi i bllokut drejt lindjes mund të sjellë probleme të mëdha për ekonominë ruse. Blair Rubble i Institutit Kennan thotë se Natos i është kushtuar një vëmendje e tepruar në krahasim me Bashkimin Evropian:

”Mendoj se në një periudhë afat-gjatë zgjerimi i Bashkimit do të ketë ndikim më negativ mbi Rusinë, pasi do të ndërpresë shumë nga linjat e tregtisë ndërkufitare.”

Analistë të tjerë besojnë se problemet e Moskës me Bashkimin Evropian janë më së shumti të një natyre teknike dhe mund të zgjidhen me negociata. Por disa në Rusi shqetësohen për shtrirjen e Natos në gjirin e Evropës Lindore. Steven Sestanovich i Këshillit mbi Marrëdhënie me Jashtë thotë se rusët janë të shqetësuar nga planet e Natos për të zhvendosur disa baza ushtarake nga Gjermania në Poloni, Rumani apo Bullgari, të cilat Moska i konsideron si shkelje të marrëveshjeve të mëparshme:

”Ata thonë se kur filloi zgjerimi i Natos nga mesi i viteve ’90, atyre iu garantua se nuk do të kishte ndonjë prani. Ata po përpiqen t’i interpretojnë sipas interesave marrëveshjet e arritura.”

Ndërsa organizatat perëndimore i shtrijnë kufijtë e tyre më tej drejt Lindjes, një tjetër temë mosmarrëveshjesh është fati i repulikave ish sovjetike që Moska i konsideron ende si zona interesi, si Bjellorusia, Ukraina, Moldavia apo vendet e pavarura në Kaukaze.

Kohët e fundit, Moska ka shtuar presionin ndaj disa prej këtyre vendeve fqinje përfshirë Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Shumë analistë thonë se kjo sjellje mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e ardhshme me Perëndimin. Por duket se edhe vetë politikanët rusë e kanë kuptuar rrezikun e kësaj sjelljeje me fqinjët.

Profesori Hamilton i Universitetit Johns Hopkins beson se si Rusia ashtu edhe perëndimi mund të përfitojnë nga qëndrueshmëria në kufirin e tyre të përbashkët. Ai vë në dukje një numër fushash ku mund të arrihet bashkëpunim i frytshëm si lufta kundër Sidës dhe tuberkulozit, nxitja e investimeve dhe e tregtisë si dhe ngritja e një mbrojtjeje të përbashkët kundër terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

Shumë analistë pohojnë se zgjerimi i Natos dhe i Bashkimit Evropian nuk do të paraqesë rrezik për interesat afatgjata të Rusisë. Ata vënë në dukje se shtimi i qëndrueshmërisë dhe i sigurisë në vendet fqinje mund t’i shërbejë shtimit të qëndrueshmërisë dhe begatisë në Rusi. Por ata e pranojnë se do të duhet shumë vullnet dhe maturi nga të gjitha palët për t’i shndërruar ndarjet e vjetra të Evropës në një kujtim të së kaluarës.//ii

XS
SM
MD
LG