Lidhje

Siri: Intelektualët kërkojnë liri më të madhe politike - 2004-02-25


Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish anë e mbanë Lindjes së Mesme po kërkojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe qeverisje demokratike.

Në Siri, më shumë se një mijë intelektualë nënshkruan një peticion ku i kërkojnë Presidentit Bashar al-Asad të heqë gjendjen e jashtëzakonëshme që është shfrytëzuar për të justifikuar regjimin shtypës për dyzetë vjet. Në peticion bëhet htirrje edhe për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe për liri më të madhe politike në Siri. Më 31 janar, Presidenti Asad liroi afro 130 të burgosur politik, por qindra të tjerë vazhdojnë të vuajnë nëpër burgje.

Ish i burgosuri politik, Aktham Naisi, thotë se organizuesit e peticionit shpresojnë të sigurojnë më shumë nënshkrime në mbështetje të thirrjes për reformë politike. Ata kanë në plan t’ia paraqesin peticionin qeverisë siriane më 8 mars, dita e 41 vjetorit të hyrjes në fuqi të ligjit të gjendjes së jashtëzakonëshme të vitit 1963.

Hafez Asadi e sundoi Sirinë që nga mesi i viteve 1960 e deri në vitin 2000. Kundërshtarët e regjimit të tij diktatorial janë burgosur, e shpesh herë edhe janë torturuar. Kur djali i tij Bashari u bë president, u ngjallën shpresat se shtypja do të lehtësohej. Dhe në fakt, rreth 600 të burgosur politikë u liruan në vitin 2000. Por, në Siri nuk ka pasur më lirime në shkallë të gjerë deri muajin e kaluar.

Farhid Gadri i Partisë Reformiste të Sirisë thotë se arabët, si gjithë popujt e tjerë, kërkojnë demokracinë: “Unë mendojë se liria e të shprehurit ka të njëjtin kuptim në të gjitha vendet. Liria e fjalës është e njëjtë. Në një demokraci respektohet shteti ligjor, gjë që do të thotë se të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë”.

Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të ndihmojnë popujt e Lindjes së Mesme në përpjekjet për arritjen e lirisë. Thirrja për liri, ka thënë Presidenti Bush, është universale”: “Liria nuk është dhurata e Amerikës për botën; liria është dhurata e Zotit të Plotfuqishëm për çdo burrë dhe grua në botë”.

Nuk është e lehtë për njerëzit të themelojnë demokracinë pasi të kenë jetuar në shtypje për dekada. Por, në Lindjen e Mesme, është pikërisht demokracia ajo që po kërkohet nga një numër gjithnjë e më i madh zërash.

XS
SM
MD
LG