Lidhje

Marok: të pakëtn 564 të vdekur nga tërmeti - 2004-02-25


Agjencia zyrtare marokene e lajmeve njofton se të paktën 564 veta kanë humbur jetën nga një tërmet i fuqishëm që goditi të martën pjesën veriore të Marokut.

Zyrtarë vendorë dhe punonjës të ekipeve të shpëtimit thonë se numri i të vdekurve mund të rritet nërkohë që ekipet largojnë rrënojat dhe arrijnë në fshatrat e izoluara të rajonit të shkatërruar përreth qytetit port të Mesdheut Al-Hoceima, rreth 300 kilometra në verilindje të kryeqytetit, Rabat.

Rreth 250 të lënduar nga tërmeti janë dërguar nëpër spitale vendore dhe kazermat ushtarake në atë zonë. Ekipe ushtarake dhe civile shpëtimi janë dërguar për të kërkuar për të gjallë, ndërkohë që helikopterët dërgonin furnizime dhe pajisje kërkimi dhe shpëtimi në rajonin e largët malor.

Zyrtarë vendorë thonë se të paktën një fshat është shkatërruar plotësisht dhe se shtëpi janë shembur në shumë fshatra të tjerë. Shumë shtëpi të atij rajoni ishin ndërtuar me tulla balte.

Tërmeti me forcë prej 6 presje 5 sipas shkallës së Richter goditi në orën 2 e 27 minuta të mëngjesit, sipas kohës vendore, kur shumica e njerëzve flinin. Zyrtarë amerikanë të sizmologjisë thonë se epiqendra e tërmetit ishte në Ngushticën e Gjibraltarit, e cila ndan Marokun me skajin jugor të Spanjës.

XS
SM
MD
LG