Lidhje

Xhorxh Uashingtoni - babai i zbulimit amerikan.” - 2004-02-25


Më 22 shkurt ishte datëlindja e George Washingtonit, i cili udhëhoqi luftën për pavarësinë e Amerikës nga Britania dhe më pas u zgjodh president i parë i vendit. George Washingtoni ka qenë burim frymëzimi për shumë studime historike dhe legjenda popullore, por një libër i ri për lexues të rinj në moshë mund të habisë edhe disa njerëz që mendojnë se dinin çdo gjë rreth Babait të Kombit. Thomas Allen është autori i librit, “George Washingtoni, Spiuni Mjeshtër: Si u treguan amerikanët më të fortë se britanikët në spiunazh dhe fituan luftën revolucionare.”

Një legjendë e respektuar përshkruan sesi George Washingtoni në moshë të re ishte pyetur nga i jati nëse kishte prerë një pemë qershie të familjes. Ai pranoi se ç’kishte bërë, duke thënë: “Unë nuk mund të gënjej.” Por Thomas Allen thotë se si gjeneral i luftës revolucionare, George Washingtoni provoi se ishte shumë i zoti në artin e mashtrimit.

“Personi, që nuk mund të gënjente, i bënte britanikët të mendonin se një sulm do të kryehej në një kohë dhe zonë të caktuar, duke shkaktuar tërheqjen e trupave britanike. Ai kapte një korier dhe e linte të ikte, por në çantat e tij gjeheshin letra fallso, ku përshkruheshin gjëra që nuk ishin të vërteta. Të gjitha ngjarrjet që çuan në përfundimin e luftës revolucionare, janë të shoqëruara me informacion rreth veprimtarive të zbulimit nga ana e Washingtonit.”

Në librin e tij, Thomas Allen tregon histori të agjentëve sekretë dhe të kundër agjentëve, të letrave të shkruara me bojë të padukshme, madje edhe mesazhe të fshehura në kopsa të mbështjella me pelhurë. Autori thotë se kur George Washingtoni u bë komandant i ushtrisë kontinentale në vitin 1775, ai analizoi burimet e tij të pakta dhe arriti në përfundimin se spiunazhi ishte shpresa e tij më e madhe për të fituar.

Thomas Allen thotë se George Washingtoni mori mësimet e para në operacione sekrete si agjent britanik, duke spiunuar kundër trupave franceze në Amerikë. Ai nxorri mësime si gjeneral ushtrie, duke mbikqyrur një rrjet spiunësh, burra dhe gra, të cilët shpërndanin informacione shumë sekrete me çdo mjet të mundshëm.

Arritjet e George Washingtonit nuk janë anashkaluar krejtësisht nga historia. Ai është pjesë e një ekspozite në muzeumin ndërkombëtar të spiunazhit këtu në Washington. Peter Ernest është drejtori ekzekutiv i muzeumit.

“Në muzeum kemi një letër të nënshkruar nga Washingtoni, drejtuar një personi të quajtur Nathaniel Sackett, një prej agjentëve të tij kryesor që kishte dërguar në New York. Washingtoni e paguante atë 50 dollarë në muaj, fakt ky që është në letër, dhe i jepte atij 500 dollarë për t’i përdorur për qëllime zbulimi për të rekrutuar njerëz të tjerë. Ky është artikulli më i vjetër në muzeum që prej hapjes së tij.”

Peter Ernest punoi vetë për 36 vjet për CIA-n dhe pjesën më të madhe të kësaj kohe e kaloi në shërbime sekrete. Ai e quan George Washingtonin “Babai i Zbulimit amerikan.”

Shkrimtarët bashkëkohorë mbështeten në burime të reja për të portretizuar të gjitha anët e jetës së George Washingtonit. Autori Thomas Allen thotë se shkrimet e vetë Washingtonit citohen shumë në internet.

Por jo çdo gjë rreth jetës së George Washingtoni si mjeshtër i veprimtarive të spiunazhit mund të mësohet me lehtësi. Thomas Allen thotë se të paktën pjesë e suksesit të zotit Washington është meritë e faktit që ai e mbante fjalën. Nëse ai u premtonte agjentëve të tij se identiteti i tyre nuk do të zbulohej kurrë, për këtë atij mund t’i besohej. Kjo do të thotë se disa prej spiunëve, që e ndihmuan George Washingtonin të fitonte luftën revolucionare, nuk njihen as sot e kësaj dite.

XS
SM
MD
LG