Lidhje

Ende probleme serioze me gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri - 2004-02-25


Në kapitullin për Shqipërinë, raporti i Departamentit të Shtetit thekson se gjendja e të drejtave të njeriut në këtë vend, vazhdon të mbetet e dobët në disa fusha dhe megjithë përparimet e bëra, ka ende probleme serioze.

Policia thuhet në raport, keqtrajton të ndaluarit dhe të arrestuarit dhe herë pas here kryen edhe arrestime arbitrare. Në muajin janar të vitit 2003, policia në Korçë keqtrajtoi një shtetas i cili vdiq më pas në spital. Fillimisht autoritetet e fshehën rastin si helmim, por pas ndërhyrjes së zyrës së Avokatit të Popullit, hetimet arritën në përfundimin se vdekja ishte shkaktuar nga hemorragjia si rezultat i keqtrajtimit.

Në Shqipëri thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, niveli i krimeve të dhunshme vazhdon të jetë i lartë dhe shumë prej tyre kanë të bëjnë me gjakmarrjen ose konfliktet e bandave kriminale.

Korrupsioni, thuhet në raport, përbën një problem mes forcave policore dhe pagat e tyre të ulta si dhe korrupsioni tejet i përhapur në gjithë shoqërinë, e bëjnë atë të vështirë për t’u luftuar.

Raporti i Departamentit të Shtetit thekson se pjesa më e madhe e sistemit gjyqësor nuk funksion në mënyrë të pavarur dhe me efektivitet për shkak të trysnisë politike, kërcënimit, korrupsionit të thellë, rryshfeteve dhe burimeve të pamjaftueshme.

Një problem tjetër serioz për Shqipërinë është trafiku i qenieve njerëzore, veçanërisht i grave dhe fëmijve. Policia vazhdon të jetë e përfshirë në këtë trafik. Organizatorët e trafikut edhe kur arrestohen, shpesh lirohen për mungesë provash, ose edhe në se gjykohen marrin dënime për krime më të lehta.

Për shkak të varfërisë, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, grupet e krimit të organizuar arrijnë të mashtrojnë gra dhe vajza të reja duke u premtuar atyre punë në Itali e Greqi, ku i detyrojnë të merren me prostitucion. Policia, është e përfshirë direkt ose indirekt në këtë trafikim.

Gjatë vitit 2003 kanë dalë në gjyq në akuzat për trafikim vetëm pak oficerë policie dhe asnjë zyrtar tjetër. Avokatët dhe gjykatësit janë manipuluar dhe korruptuar, duke u krijuar mundësi trafikantëve të shpëtojnë të pandëshkuar. Por në një zhvillim pozitiv, thekson raporti, policia ka filluar të mos i trajtojë më gratë dhe vajzat e trafikuara si kriminelë, por si viktima dhe ka filluar t’i dërgojë ato për ndihmë tek organizatat jo-qeveritare ndërkombëtare dhe vendore.

Shqipëria kritikohet edhe për dhunën ndaj grave dhe atë në familje, një problem që siç thuhet në raport, vazhdon të jetë serioz.

Shtypi në Shqipëri ka qenë aktiv dhe në përgjithësi i pakufizuar. Por megjithatë, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, ka probleme serioze për përdorimin e tij për qëllime politike. Botuesit dhe pronarët e gazetave shpesh i redaktojnë artikujt për t’iu shërbyer interesave të tyre politike dhe ekonomike.//kk//

XS
SM
MD
LG