Lidhje

Reagime të partive politike në Maqedoni - 2004-02-26


Partitë politike në Maqedoni kanë shprehur keqardhje lidhur me fatkeqësinë ajrore në të cilën jetën e ka humbur presidenti maqedonas Boris Trajkovski. Zyrtarët e të gjitha partive njëzëri kanë shprehur keqardhje lidhur me vdekjen tragjike të presidentit maqedonas Boris Trajkovski në afërsi të Mostarit.

Zyrtari i lartë i Lidhjes socialdemokrate maqedonase, Jani Makraduli tha se subjekti i tyre politik është i tronditur nga tragjedia që i ka ndodhur Maqedonisë, me rastin e humbjes së jetës së presidentit të shtetit.

“Për Maqedoninë sot duhej të ishte ditë gëzimi përshkak të kërkesës për aplikim në Bashkimin Evropian, mirëpo kjo ditë u shëndrrua në ditë zie përshkak se fatkeqësisë dhe humbjes së presidentit Boris Trajkovski”, theksoi anëtari i lartë i kryesisë së LSDM-së, Jani Makraduli.

Bashkimi Demokratik për Integrim poashtu ka shprehur keqardhje lidhur me humbjen e presidentit Trajkovski në fatkeqësinë ajrore në Bosnjë.

“Shprehim keqardhje për këtë fatkeqësi të rëndë për vendin.Kjo është fatkeqësi për të gjithë qytetarët e vendit, aq më tepër kur sot Maqedonia duhej të aplikoj për anëtarësim në BE”, theksoi nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi.

Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, i ka shprehur ngushllime familjes së presidentit të shtetit. Zyrtarët e kësaj partie kanë vlerësuar se kjo ngjarje është tronditje e rëndë për Maqedoninë. Nënkryetarja e VMRO-DPMNE-së, Ganka Samoilova-Cvetanova tha se është e shqetësuar nga kjo fatkeqësi e ndodhur.

Partia për Prosperitet Demokratik vlerëson se humbja e presidentit të shtetit në fatkeqësinë ajrore sot është ditë tronditëse për Maqedoninë. Përfaqësuesi i lartë i kësaj partie, Ismet Ramadani tha se Maqedonia humbi një personalitet të rëndësishëm që ishte për integrimin e vendit.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare Demush Bajrami tha se subjekti i tyre politik lajmin tragjik për vdekjen e presidentit Trajkovski e ka pritur me dhembje të thellë. Lidhur me humbjen e jetës të presidentit maqedonas Boris Trajkovski ngushllimet e tyre i kanë përcjellur shumë organizata dhe institucione joqeveritare në Maqedoni.

//rd//

XS
SM
MD
LG