Lidhje

Tunizia ka qenë mike dhe aleate e Shteteve të Bashkuara prej më shumë se 200 vjetësh - 2004-02-27


Tunizia ka qenë mike dhe aleate e Shteteve të Bashkuara prej më shumë se 200 vjetësh. Ky vend i ka mbështetur politikat amerikane, përfshirë luftën në Irak dhe luftën globale kundër terrorizmit.

Këto ishin disa nga çështjet që diskutuan zyrtarët amerikanë me presidentin e Tunizisë Zine al Abidine Ben Ali gjatë vizitës së tij të fundit në Washington. Po ashtu në rendin e ditës, tha sekretari i shtetit Colin Powell, ishte edhe respektimi i të drejtave të njeriut në Tunizi.

“Kemi pasur shqetësime të vazhdueshme lidhur me reformat politike, lirinë e shtypit dhe çështje të tjera të ngjashme, ku mendojmë se Tunizia mund të shënojë përmirësime. Ashtu siç flitet me miqtë më të ngushtë, ne diskutojmë me Tunizinë çështje mbi të cilat nuk biem dakort.”

Nën regjimin e presidentit të parë, Habib Bourguida, Tunizia ishte në krye të botës arabe në njohjen e të drejtave të grave. Qeveria e presidentit Ben Ali, në përgjithësi, ka vazhduar respektimin e të drejtave të grave që pas rrëzimit nga pushteti të zotit Bourguida në vitin 1987. Por në respektimin e të drejtave të tjera të njeriut, Tunizia vazhdon të shënojë rezultate të pakënaqshme. Të drejtat e qytetarëve të Tunizisë për të ndryshuar qeverinë e tyre janë tepër të kufizuara. Liria e fjalës, e grumbullimit dhe e organizimit është e kufizuar. Ndërkaq, forcat e sigurimit frikësojnë, ndalojnë dhe nganjëherë torturojnë ata që kritikojnë publikisht qeverinë.

Kamel Labidi ka qenë drejtor i zyrës së organizatës Amnesty International në Tunizi dhe ka punuar prej kohësh si gazetar në këtë vend derisa qeveria ia hoqi kredencialet e gazetarit. Ai thotë se presidenti Ben Ali “ka shtypur thuajse të gjithë kundërshtarët dhe ia ka mbyllur gojën” shoqërisë civile në Tunizi.

Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me zotin Ben Ali, presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara e kanë të qartë se Tunizia “ka një sistem arsimor modern dhe të susksesshëm; se gratë gëzojnë të drejta të barabarta.” Në këtë frymë, tha presidenti Bush, Tunizia ka nevojë për një shtyp “të lirë dhe të gjallërishëm, si dhe për një proces të hapur politik.”

“Tunizia mund të ndihmojë botën arabe drejt reformave dhe lirisë, gjë që nevojitet për paqen afat-gjatë.”

Pavarësisht nga kufizimet aktuale, siç u shpreh zoti Kamel Labidi, “tunizianët ende shpresojnë se demokracia do të hedhë rrënjë në vendin e tyre.”

//ze//

XS
SM
MD
LG