Lidhje

Maqedonia po mban 3 ditë zi kombëtare pas vdekjes së presidentit Boris Trajkovski - 2004-02-28


Maqedonia filloi dje 3 ditë zie kombëtare pas vdekjes së presidentit Boris Trajkovski, si pasojë e rrëzimit të aeroplanit me të cilin po shkonte në Bosnje Hercegovinë.

Zyrtarët në Shkup thanë dje se kryetari i parlamentit, Ljubço Jordanovski, po kryen funksionet e presidentit të përkohshëm deri sa të mbahen zgjedhjet e reja.

Autoritetet konfirmuan se zoti Trajkovski dhe 8 persona të tjerë në aeroplan humbën jetën në aksidentin e së enjtes në Bosnjen jugore.

Avionin e përfshiu zjarri dhe disa nga trupat kishin pësuar djegje të rënda. Truapt u gjetën në vendin e aksidentit në një zonë malore plot me mina dhe u dërguan në Mostar për t’u identifikuar. Zyrtarët thanë se identifikimi i kufomave dhe autopsia ka të ngjarë të përfundojnë sonte.

Ekipet e shpëtimit gjetën gjithashtu kutitë e zeza, të cilat iu dorëzuan autoriteteve të aviacionit civil.

Presidenti Bush shprehu ngushëllimet e tij dhe tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm vizionin e zotit Trajkovski për krijimin e një Maqedonie shumë etnike dhe demokratike.

Kryeministri Cërvenkovski u takua dje në Shkup me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana. Kryeministri e siguroi zotin Solana se vendi i tij do të mbetet i qendrueshëm dhe do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian.

//ze//

XS
SM
MD
LG