Lidhje

Një zyrtar amerikan thotë se Bin Laden do të kapet së shpejti - 2004-02-28


Një zyrtar i lartë amerikan i kundër-terrorizmit tha se mendon që udhëheqësi i rrjetit al-Kaida, Osama bin Ladeni, do të kapet së shpejti.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ambasadori J. Cofer Black nuk pranoi të spekullonte me ndonjë datë konkrete, por shtoi se është i bindur se kapja e Osama bin Ladenit nuk është e largët.

Forcat amerikane dhe pakistaneze janë aktualisht të angazhuara në një operacion kërkimi në të dyja anët e kufirit malor midis Afganistanit dhe Pakistanit.

Bin Ladeni, i cili është akuzuar si organizatori i sulmeve të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, mendohet se qëndron i fshehur diku në atë zonë.

Ambasadori Black i tha Zërit të Amerikës se bin Ladeni vazhdon të jetë në kontakt me udhëheqës të tjerë të al-Kaidës, por në mënyrë të kufizuar.

Sipas ambasadorit Black, bin Ladeni e kalon pjesën më të madhe në përpjekjet për t’i shpëtuar kapjes. Ndërkohë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka mohuar një njoftim iranian se bin Ladeni është kapur.

Edhe një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze e mohoi këtë njoftim të dhënë nga mjetet zyrtare iraniane të informimit, sipas të cilave udhëheqësi i al-Kaidës është kapur para disa kohësh në një zonë fisnore të Pakistanit dhe se njoftimi për kapjen e tij po vonohet për të ndihmuar fushatën e Presidentit Bush për zgjedhjet e nëntorit. //kk//

XS
SM
MD
LG