Lidhje

Një kontigjent marinsash amerikanë mbrriti në Haiti me urdhër të presidentit Bush - 2004-02-29


Një kontigjent marinsash amerikanë mbrriti në Haiti me urdhër të presidentit Bush për të shërbyer si pararoja e forcës ndërkombëtare.

Marinsat mbrritën në Haiti dje vonë, ndërkohë që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi për të dërguar një forcë shumë kombëshe për të vendosur rendin në këtë vend të trazuar të Karaibeve.

Këshilli i Sigurimit e miratoi propozimin njëzëri në New York. Diplomatët thanë se forca do të përbëhet nga ushtarë amerikanë, kanadezë dhe francezë si dhe nga trupa prej disa vendeve të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, u bëri thirrje haitianëve që të ruajnë qetësinë ndërkohë që mbrrijnë forcat paqëruajtëse nga e gjithë bota.

Gjatë një pushimi mes diskutimeve, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkaura, Kofi Annan, foli shkurtimisht me gazetarët. Ai u pyet në se kishte ndonjë mesazh për haitianët, tani që presidenti Zhan Bertrand Aristid ishte larguar nga vendi.

“Ata duhet të ruajnë qetësinë, të punojnë me presidentin e ri dhe të mendojnë rreth vendit dhe të ardhmes së tyre dhe jo rreth ambicjeve individuale. Atyre që mund të kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, u them se do të mbajnë personalisht përgjegjësi.”

Këto zhvillime ndodhën disa orë pasi presidenti i Haitit, Zhan Bretrand Aristid dha dorëheqjen dhe shkoi në mërgim.

Zoti Aristid u largua nga Haiti pas një kryengritjeje 3 javore, gjatë së cilës forcat rebele iu afruan kryeqytetit Porto Prins deri 40 kilometra. Udhëheqësi i rebelëve, Guy Philippe, tha se forcat e tij nuk synojnë të luftojnë më dhe do të mirëpresin ushtarët nga vende të ndryshme të botës.

Boniface Alexandre, kryetari i Gjykatës së Kartë të Haitit bëri betimin si president i përkohshëm i vendit. Haiti është përfshirë nga trazirat që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2000.

//ze//

XS
SM
MD
LG