Lidhje

Kosovë: Ndalohet dhe lirohet në Hungari komandanti i Trupave Mbrojtëse - 2004-02-29


Komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral Agim Ceku, është liruar pas një ndalimi disaorësh nga policia hungareze në Budapest. Ai u ndalua të dielën paradite rreth orës 11, derisa po kthehej me një grup të pjestarëve të këtyre trupave nga një stërvitje në Çeki.

Ndalimi i tij u bë në bazë të një fletarresti të lëshuar nga autoritetet e Beogradit, të cilat e akuzojnë gjeneral Çekun për, siç thuhet, krime kundër popullatës serbe në Kosovë.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri, ka biseduar në orët e pasditës edhe me ministrin e jashtëm të Hungarisë, i cili e ka siguruar atë se gjeneral Ceku është i lirë dhe nesër mund të kthehet në Prishtinë.

Lirimi i tij u konfirmua edhe nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës të cilat janë shprehur shumë të shqetësuara për këtë ngjarje që nuk është e para. Zyrtarët e këtyre trupave thanë se veprimet e tilla prekin rëndë dinjitetin e qytetarëve, Trupave Mbrojtëse dhe institucioneve të Kosovës.

Ndalimi i komandantit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës ka nxitur reagime të ashpra edhe të institucioneve kryesore politike në Kosovë. Kryeministri Bajram Rexhepi. i cili të dielën pasdite u kthye nga një vizitë në Itali, tha se për fat të keq, edhe më tej po lejohet funksionimi i gjykatave paralele serbe të vendosura në Serbi dhe po respektohen fletarrestet e leshuara prej tyre.

“Fletarrestet e strukturave paralele ende çojnë peshë në Këshillin Evropian. Ne do të bëjmë trysni maksimale, mirëpo trysnia kryesore duhet të bëhet nga faktori ndërkombëtarë”, tha kryeministri Rexhepi.

Ndërkohë edhe zyra e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, reagoi ashpër ndaj veprimit të policisë hungareze. Zëdhënësi i presidentit, Muhamet Hamiti, tha se ndalimi i gjeneral Çekut është akt i papranueshëm për institucionet dhe popullin e Kosovës.

“Autoritetet hungareze nuk kanë të drejtë që mbi baza të akuzave të konstruktuara të një shtetit fqinjë të Kosovës, që ka qenë okupator i vendit tonë, të ndalojnë qytetarë të Kosovës, personalitete të shquara apo bartës të funksioneve të rëndësishme të Kosovës”, theksoi zëdhënësi i presidentit, Muhamet Hamiti.

Parlamenti i Kosovës ndërkaq, shprehu protestën e tij ndaj autoriteteve Hungareze, ndaj autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre të Misionit të Kombeve të Bashkuara që, sic thuhet, ende po punojnë dhe po lejojnë të punohet sipas fletëarresteve të një rregjimi dhe të një politike e cila është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe po gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë.

Në një reagim të Parlamentit thuhet se rastet e tilla tensionojnë situatën dhe nuk u kontribuojnë marrëdhënieve të mira ndërmjet shteteve, dhe as paqes e qëndrueshmërisë. Ky Parlament më herët ka miratuar një dokument me të cilin është kërkuar zhvleftësimi i të gjitha fletëarrestve të lëshuara nga autoritetet serbe kundër personaliteteve politike e institucionale të Kosovës.

Një përvojë të ngjashme gjeneral Çeku përjetoi edhe në tetor të vitit të kaluar në Slloveni, kur autoritetet e atjeshme e ndaluan atë për më shumë se 12 orë në bazë të fletarrestit të lëshuar nga Beogradi. Më herët në muajin qershor të vitit të kaluar. po në aeroportin e Budapestit, për të njëjtat arsye, qe ndaluar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaci.

Ndalimet e tilla dhe zbatimi i fletarresteve të lëshuara nga Beogradi, sipas përfaqësuesve politikë në Kosovë, mund të dëmtojnë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e cështjeve teknike të interesit të përbashkët, që pritet të fillojnë të enjten më 4 mars. //kk//

XS
SM
MD
LG