Lidhje

Përfundon rikonstruktimi i pikalimit kufitar të Morinit - 2004-03-01


Të hënën, më 1 mars, përurohet rikonstruktimi i plotë i pikalimit kufitar doganor të Morinit, në kufirin e Shqipërisë me Kosovën, rikonstruksion ky, i financuar nga Banka Botërore. Në ceremoninë e përurimit do të jenë të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano dhe ai i Kosovës Bajram Rexhepi.

Pikalimi kufitar doganor i Morinit është nyja kryesore për nga realizohen shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Rikonstruktimi i plotë i pikalimit kufitar doganor të Morinit, në kufirin verilindor të Shqipërisë me Kosovën, është financuar nga një program i Bankës Botërore me një fond prej 900 mijë dollarësh. Punimet kanë vazhduar për më shumë se një vit, duke modernizuar dhe zgjeruar të gjithë infrastukturën e kësaj nyjeje të rëndësishme të komunikimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Ceremonia e përurimit të rikonstruksionit të pikalimit kufitar doganor të Morinit do të zhvillohet të hënën paradite, rreth orës 11. Tashmë është njoftuar se në këtë ceremoni, do të jenë të pranishëm, veç të tjerëve, edhe Kryemninistri i Shqiperise Fatos Nano së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi.

Perveçse një nyje e rëndësishme e komunikimit dhe e tregtisë, pikalimi kufitar i Morinit, në rrethin e Kukësit, vlerësohet nga të gjithë shqiptarët edhe si stacioni i parë i mikpritjes për rreth 500 mijë refugjatët nga Kosova, të cilët, pesë vjet me parë, u dëbuan me dhunë për në Shqipëri nga forcat ushtarake dhe policore serbe.

Pas qëndrimit në pikalimin kufitar doganor të Morinit, kryeministri Nano së bashku me Kryeministrin Rexhepi pritet të udhëtojë në drejtim të Prizrenit dhe më pas Prishtinës, në përmbushje të vizitës së tij të parë zyrtare në Kosovë.

Pikalimi kufitar doganor i Morinit, në rrethin e Kukësit, është nyja më e rëndësishme e kominikimit të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit shtetëror. Këtu është edhe e vetmja pikë doganore, përmes së cilës realizohen shkëmbimet tregtare mes Shqiperisë dhe Kosovës. Sipas burimeve zyrtare shqiptare, eksportet e Shqipërise në drejtim të Kosovës arrijnë vlerën vjetore prej 4 milion e 800 mijë eurosh, ndërkohë që importet janë në vlerën 2 milion e 300 mijë euro.

Me një tetor të vitit të kaluar, nga pikalimi kufitar doganor Morinë-Vermice nisi të konkretizohet edhe marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, marrëveshje kjo, e cila shpresohet se do të ndikojë në zgjerimin e shkëmbimeve tregtare, por edhe në zhvillimin ekonomik të rajoneve ndërkufitare të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në afërsi të pikalimit kuifitar doganor të Morinit, vitin e kaluar kanë nisur punimet për ndërtimin e aeroportit të dytë civil ndërkombëtar të Shqiperisë, i cili, kryesisht, do t’i shërbejë komunikimeve me Kosovën.

//ad//

XS
SM
MD
LG