Lidhje

Kryetarë komunash nga Kosova në SHBA - 2004-03-01


Ka disa ditë që nje grup zyrtarësh të lartë bashkiakë shqiptarë e serbë nga Kosova ndodhet në Shtetet e Bashkuara në kuadër të një programi 4 javor për specializim e shkëmbim përvoje. Programi ku marrin pjese 15 kryetare komunash, financohet nga Departamenti amerikan i Shtetit, dhe zhvillohet me ndërmjetsinë e qendrës ndërkulturore pranë universitetit Xhorxhtaun dhe shoqatës lobiste, Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan.

Pjesë e këtij programi ishte edhe diskutimi zhvilluar këto ditë në qëndrën Udrou Uillson në Uashington. Kryetarët e komunave, shqiptare e serbe u përpoqën të shprehnim shqetësimet me te cilat ndeshen zonat e tyre. Dhe problemet që ata shtruan ishin të shumta e ndonjëhere krejt të ndryshme, në varësi me përkatësinë e tyre etnike.

Pa mohuar ndihmën e dhënë nga komuniteti ndërkombetar, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Ismet Beqiri foli rreth veshtirësive në infrastrukturë; furnizimin me ujë dhe energji, dhe shtoi se gjatë programit në Shtete e Bashkuara dhe vizitave në bashkitë e qyteteve të ndryshme do të përpiqet të mësoje nga përvoja e kolegëve të tij amerikanë.

Kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj tha se komuna e tij ndeshet me problemin e papunësise, dhe shtoi se statusi ende i papërcaktuar i Kosovës vazhdon të shkurajojë investuesit vendas e të huaj për zhvillime në ekonomi.

Ndërsa, Agim Veliu, kryetar i Komunës së Podujevës u shpreh i pakënaqur me ecurinë e procesit të privatizimit. Ai tha se shumë ndërmarrje ose prona të përfshira në listat e privatizimit tashmë mbahen të bllokuara, megjithë aftësitë e tyre prodhuese.

“Problemet ekonomike dhe papunësia përbëjnë shqetësim edhe për banorët e Leposaviçit”, tha kryetari Velimir Bojoviç, i kësaj komune të banuar kryesisht nga serbë. Por zoti Bojoviç është kunder vazhdimit ose shpejtimit të procesit të privatizimit të pronave, ndërkohë që sipas tij, rreth 200 mijë serbë të Kosovës ende ndodhen në qendra refugjatesh në Serbi. “Në se kryehet procesi i privatizimit, atehere çdo të ndodhte me pronat e braktisura të serbëve të shpërngulur”, pyet i shqetesuar zoti Bojoviç.

Ndërsa, kryetari i komunes se Shterpces, Sladjan Iliç shprehet tepër pesimist ndaj një të ardhme të perbashkët midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. “Shqiptarët dhe serbët e Kosovës kanë patur një të kaluar shumë të keqe. Kush u përpoq t'a paraqiste Kosoven para lufte si një shoqëri të suskesëshme shumë etnike dështoi në misionin e tij”, thotë zoti Iliç, dhe shton se me Kosovën tani duket se po luhet e njëjta dramë, por me aktorë të tjerë. “Në se vazhdohet kështu, përsëri do të dështohet”, thotë zoti Iliç.

Debati vazhdoi gjatë me pyetje, përgjigje e kundërpërgjigje, në kerkim të rrugëve për përmirësimin e gjendjes.

Drejtori i zyrës për studime evropiano lindore,pranë qëndrës Udrou Uillson, Martin Stelzinger thotë se çështjet dhe problemet që e shqetësojnë Kosoven dhe banorët e saj njihen prej kohësh thuajse nga të gjithë. “Prandja, qellimi i kësaj tryeze të rrumbullaket ishte më tepër nxitja e dialogut të hapur shqiptaro serb në nivel ndërkomunal, dhe paraqitja e problemeve nga një këndvështrim sa më i përbashkët”, thotë zoti Stelzinger.

Tryeza e rrumbullakët u drejtua nga Mark Baskin, ish administratori i Unmikut për Prizrenin gjatë viteve 1999-2000 dhe njohës nga afër i problemeve të rajonit.

XS
SM
MD
LG