Lidhje

Uashingtoni hedh poshtë akuzat e ish presidentit haitian - 2004-03-02


Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Bush mohuan me forcë pohimet e ish presidentit haitian, Zhan Bertrand Aristide, se Shtetet e Bashkuara e detyruan atë të jepte dorëheqjen.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, i cilësoi akuzat si absurde. Ai tha se zyra e zotit Aristide kishte rënë në kontakt me ambasadën amerikane në Porto-Prense para se ai të jepte dorëheqjen dhe kishte kërkuar ndihmën amerikane për t’u larguar nga vendi.

Edhe Sekretari i Shtetit Kolin Pauëll i cilësoi akuzat si qesharake. Ai tha se Uashingtoi dërgoi një avion për ta marrë zotin Aristide pasi ai kishte dhënë dorëheqjen.

Edhe Sekretari i Mbrojtjes Donald Ramsfeld i hodhi poshtë akuzat, të cilat zoti Aristide i përsëriti të hënën në rrjetin televiziv CNN, duke e cilësuar veprimin amerikan si grushte shteti.

Ndërkohë, trupa amerikane dhe franceze kanë siguruar objektet diplomatike të Haitit dhe objekte të tjera të rëndësishme. Sekretari Ramsfeld tha se aktualisht në Haiti janë vetëm disa qindra trupa amerikane, por numri i tyre mund të rritet deri në dy mijë. Ai tha se trupat amerikane do të qendrojnë në të vend për një kohë të shkurtër dhe theksoi se kriza në Haiti është problem për gjithë Hemisferën Perëndimore.

Ndërkohë, forcat kryengritëse hynë në kryeqytet, ku u pritën nga qindra simpatizantë. Udhëheqësit kryengritës kanë deklaruar se do t’i ulin armët tani që Presidenti Aristide është larguar.

XS
SM
MD
LG