Lidhje

Presidenti Bush:Departamenti i Sigurisë Kombëtare i ka bërë SHBA më të sigurta - 2004-03-02


Presidenti Bush fillimisht e kundërshtoi krijimin e një departamenti të ri, i cili do të vendoste lidhje më të ngushta midis rojeve kufitare, shërbimit sekret dhe atij të imigracionit.

Ai kërkonte të kishte më tepër autoritet për të marrë dhe hequr nga puna, punonjësit e kësaj agjencie, jashtë procedurave burokratike të Uashingtonit. Por pas një viti, thotë zoti Bush, Departamenti i Sigurisë Kombëtare e ka bërë vendin më të sigurtë.

"Jeta në Amerikë, në shumë aspekte është normale. Dhe kjo është pozitive. Kjo do të thotë se po bëjmë punën e duhur. Por jeta nuk do të jetë normale përsa kohë ekzistojnë armiqtë e fshehur në hije që kanë si qëllim të vrasin dhe shkatërrojnë. Armiqtë tanë po plagosen por ata nuk janë mposhtur. Ata ende synojnë të sulmojnë përsëri Amerikën. Ky është një realitet të cilin duhet ta pranojmë",- tha presidenti.

Në një ceremoni me rastin e përvjetorit të parë të Departamentit, zoti Bush falenderoi punonjësit e tij që kanë mundësuar sigurinë në transportin ajror dhe kanë fuqizuar sigurimin e kufijëve amerikanë. Ai tha se departamenti i sigurisë kombëtare ka marrë masat për të mbrojtur amerikanët nga armët e rrezikshme dhe i ka përgatitur ata për të dhënë përgjigjen e parë në raste emergjence.

Lufta kundër terrorizmit është një pjesë e rëndësishme e fushatës së presidentit Bush për tu rizgjedhur. Ai u tha punonjësve të departamentit se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në gatishmëri brenda dhe jashtë vendit për të vazhduar atë që ai e quajti strategji të qartë për të mbrojtur Amerikën dhe detyrë për tu përgatitur për çdo lloj sulmi që mund të ndodhë.

Disa demokratë thonë se administrata e presidentit Bush nuk ka shpenzuar para të mjaftueshme për të stërvitur zjarrëfikësat dhe ekipet e shpërtimit në rast të një sulmi terrorist.

Por Presidenti thotë se qysh nga viti 2001, ai ka trefishuar financimet federale për sigurimin kombëtar.// lk //

XS
SM
MD
LG