Lidhje

Në zgjedhjet presidenciale, partitë shpresojnë të fitojnë votat e imigrantëve - 2004-03-03


Menjëherë sapo të mbyllet sezoni i zgjedhjeve paraprake për kandidatët presidencialë, të dy partitë, ajo republikane dhe demokrate, do ta përqendrojnë vëmendjen tek zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Partitë shpresojnë që të tërheqin sa më shumë vota nga të rinj emigrantë.

Kjo përpjekje po vihet re kryesisht në Kaliforni, ku pakicat etnike përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë. Ky shtet ka 35 milion banorë dhe është një nga shtetet më të mëdha të Amerikës. Një e treta e popullsisë është hispanike dhe rreth 10 përqind aziatiko-amerikanë. Së bashku me pakicat e tjera, emigrantët përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së Kalifornisë.

Një e katërta e banorëve të Kalifornisë janë emigrantë të ardhur rishtazi dhe së shpejti ata mund të marrin shtetësinë amerikane. Në Amerikë, vetëm shtetasit amerikanë kanë të drejtë vote.

Mona Boutos është emigrante nga Egjipti. Ajo ka 7 vjet që ka ardhur në Amerikë. Ajo kërkoi të regjistrohej si votuese menjëherë pasi mori nënshtetësinë, por tha se ende ishte e pavendosur se cilën parti apo kandidatë do të mbështeste.

“Po i rishikoj të gjitha problemet dhe do të vendos kur të jem e bindur për atë që dua të përkrah”, thotë ajo.

Janë pikërisht imigrantë të tillë me të drejtë vote, që veprimtarë të të dy partive po përpiqen t’i bëjnë për vete. Përveç anglishtes, ata flasin spanjisht, dialektin mandarin të Kinës si dhe gjuhë të tjera për të komunikuar me imigrantët që sapo kanë marrë shtetësinë amerikane.

Votuesit e rinj mund të regjistrohen me cilën parti që duan apo të deklarohen të pavarur. Pavarësisht se çfarë vendosin, ata janë të lirë të votojnë për cilindo kandidat në zgjedhjet e përgjithshme.

Bianca Figueroa, kryetare e bashkisë së qytetit industrial të South El Monte, në lindje të Los Angeles, është demokrate, por posti që ajo mban është i pavarur. Amerikano-meksikanja u lind dhe u rrit në këtë qytet me rreth 20 mijë banorë, popullsia e të cilit është kryesisht hispanike, me pakica kineze dhe vietnameze. Ajo thotë se shqetësimet e banorëve të qytetit të saj janë kryesisht ekonomike.

“Shumë vende pune po largohen nga Kalifornia për në Kanada dhe Meksikë dhe ne kemi nevojë për këto vende pune. Kemi nevojë për të ardhurat që mbledhim nga këto vende pune. Na duhen për sigurimet shoqërore, për departamentin e policisë, për të siguruar qytetin tonë”.

Por edhe anëtarë të tjerë të pushtetit lokal e shohin votën e hispanikëve shumë të rëndësishme. Si për shembull votimi i katër viteve më parë në Florida i cili ia kaloi fitoren presidentit Bush. Sekretari i Shtetit për Kaliforninë, Kevin Shelley, zyrtari më i lartë i shtetit për zgjedhjet, thotë se pjesmarrja në votime po ulet. Afërsisht gjysma e popullisë që ka të drejtë vote, nuk merr pjesë në zgjedhjet presidenciale.

“Kjo na vë para një sfide, jo vetëm mua, por të të gjithë sekretarët e shteteve në të gjithë vendin, që t’i dyfishojmë forcat dhe të ndikojmë tek njerëzit rreth këtij procesi, pavarësisht nëse është për të përmirësuar teknologjinë, apo që të parqesim arsye se pse duhet marrë pjesë në zgjdhje. Kjo është shumë e rëndësishme”.

Partitë politike po mundohen ta përhapin këtë mesazh kudo.//kk//

XS
SM
MD
LG