Lidhje

Uji në Mars - 2004-03-03


Agjensia amerikane e hapësirës, Nasa tha se një nga robotët e saj në Mars ka gjetur prova që dëshmojnë se sipërfaqja e planetit të kuq ka qënë dikur e mbuluar me ujë, pra një ambjent i përshtatshëm për ekzistencën e jetës. Por agjencia paralajmëroi se informacionet nuk vërtetojnë se në Mars ka patur jetë.

Pas një muaji në Mars, roboti Opportunity gjeti prova që tregojnë se ka patur sasi të madhe uji që kanë lënë shënjën e tyre në shkëmbinjtë e planetit.

Shefi i sektorit shkencor të Nasës, Ed Weiler tha se analizat e hollësishme të mineraleve në shtresat e jashtme të shkëmbit tregojnë se ato janë formuar nga uji. “Roboti Opportunity ka zbritur në një zonë të Marsit ku uji mbulonte sipërfaqen. Për më tepër kjo zonë mund të ketë pasur kushte të përshatshme për ekzistencën e jetës për një periudhë kohe. Objektivi kryesor i kërkimeve tona në Mars është të gjejmë përgjigjen e pyetjes: A ka patur jetë, a ka jetë në Mars. Rezultatet e sotme janë një qasje e madhe drejt arritjes së këtij qëllimi”, tha zoti Weiler.

Në një konferencë shtypi dje në selinë e Nasës në Washington, shkencëtarët e misionit thanë se prova më domethënëse që tregon se uji mbulonte Marsin ishte prania në shkëmb e një sasie të madhe të kripërave sulfurore të quajtura sulfate. Gjeologu Steven Squyres i Universitetit Cornell tha se një nga këto sulfate, quajtur jarosite, ishte i dukshëm.

"Në shkëmb u gjet sasi e madhe jarositi. Si hidrat sulfati, ky mineral krijohet vetëm në praninë e ujit", thotë gjeologu.

Shkencëtarë theksuan gjithashtu faktin se shkëmbinjtë kanë shenja ku kanë qënë krijuar kristalet që më pas janë shkrirë.

Por shkencëtarët e Nasës thonë se provat që tregojnë praninë e ujit nuk tregojnë se aty ka patur ndonjë oqean që ka avulluar apo se uji rridhte nëpër shkëmbinj që janë krijuar nga shpërthimet vullkanike apo procese të tjera. Shkencëtarët nuk dinë gjithashtu për sa kohë ka qënë i pranishëm uji në Mars dhe nëse aty ka patur ndonjëherë jetë. "Ne besojmë se në këtë pjesë të Marsit ka patur kushte për jetë. Kjo nuk do të thotë se aty ka patur jetë. Këtë nuk e dimë. Por ky vend ka patur kushtet për jetesë në një periudhë kohe".

Robotët Opportunity dhe Spirit në anë të ndryshme të planetit do të vazhdojnë kërkimet për prova të ujit në mënyrë që shkencëtarët të zbulojnë se sa i përhapur ka qënë ai në Mars.

//rd//

XS
SM
MD
LG