Lidhje

Strategjia amerikane dhe Ballkani - 2004-03-03


Viti 2003 ishte një vit i vështirë për marrëdhëniet transatlantike, të cilat u tensionuan për shkak të luftës në Irak. Sot këto marrëdhënie janë përmirësuar, theksoi ndihmës sekretarja amerikane e shtetit Elisabeth Jones në një seancë dëshmish përpara komisionit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve, nënkomisioni për Evropën. Zonja Jones komentoi edhe për zhvillimet në vendet e Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Por cilat janë disa nga përparësitë strategjike të Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe çfarë vendi ze Ballkani në këto përparësi?

Vërtet që viti 2003 ishte i vështirë për marrëdhëniet midis të dy anëve të Atlantikut, por zonja Elisabeth Jones tha në dëshminë e saj para komisionit se mosmarrëveshjet ia kanë hapur rrugën besimit të patundur se të dy palët duhet patjetër të arrijnë sukses së bashku në Irak.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara ka të njëjtën bindje si edhe partnerët evropianë se kërcënimet globale kapërcehen më me efektivitet kur të gjithë veprojnë së bashku. Përsa i përket Ballkanit, si pjesë problematike e Evropës dhe ku Shtetet e Bashkuara kanë forca ushtarake, Ballkani natyrisht që është një ndër përparësitë në politikën e jashtëme amerikane.

Zonja Jones tha se Shtetet e Bashkuara duan të shpejtojnë ditën kur forcat e Natos të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe kur këto vende të mund të marrin përgjegjësinë për sigurimin e brendshëm dhe të jashtëm. Si në Bosnje edhe në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar po punon për të krijuar kushtet që ta pakësojë rolin e tij duke ia dhënë kontrollin autoriteteve vendase. Në Maqedoni, tha ajo, ky proces ka përfunduar.

Përsa i përket Kosovës, zonja Jones tha se Shtetet e Bashkuara e ka përqendruar vemendjen tek standardet e qeverisjes së mirë dhe tek demokracia shumë-etnike. Populli i Kosovës, tha ajo, e di se komuniteti ndërkombëtar do ti kushtojë vemendje të veçantë standardeve që kanë të bëjnë me tolerancën, lirinë e lëvizjes dhe me kthimin e të zhvendosurve.

Ajo tha se institucionet vendase në Kosovë po marrin përgjegjësitë konkrete dhe forca policore shumëkombëshe ka fituar respektin e njerëzve. Ligjvënësi Eliot Engel shtroi shqetësimin se vënia e standarteve para statusit për Kosovën është një formulë për të vonuar të ardhmen e Kosovës.

Ai kritikoi administratën duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë plane për një shtet palestinez por nuk kanë një plan për Kosovën.

Nënsekretarja amerikane e shtetit tha se në listën e përparësive për Ballkanin janë sidomos përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar. Në Shqipëri, tha ajo, ndihma amerikane ka rezultuar në disa suksese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vitin tjetër, Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me Italinë dhe Greqinë, do ta angazhojnë Shqipërinë në një nismë të rëndësishme kundër trafikut sidomos të fëmijëve.

Përsa u përket ndihmave për Ballkanin gjatë vitin financiar 2005, administrata i ka kërkuar Kongresit pothuajse të njëjtin nivel fondesh për Kosovën (72 milion dollarë), për Serbinë 87 milionë dhe për Bosnjen (41 milionë), ndërsa ulje do të pësojnë ndihmat për Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Ligjvënësi Doug Bereuter, i cili drejtoi seancën shfaqi një farë shqetësimi duke shtruar pyetjen se çfarë po bën administrata për të stabilizuar Maqedoninë.

Zonja Jones tha se presidenti Trajkovski ishte një udhëheqës i vendosur i cili punonte me këmbëngulje për të sjellë afrimin midis dy komuniteteve. Përpjekjet e tij, tha ajo, janë bërë tashmë një zakon për bashkëpunimin midis komuniteteve.

Ligjvënësit që drejtuan seancën nderuan Presidentin Trajkovski për ndihmesën e tij në zgjidhjen paqësore të konfliktit në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG