Lidhje

Irak: 170 të vrarë në disa shpërthime - 2004-03-03


Një numër shpërthimesh të bashkërenduara vetëvrasëse në Bagdad dhe qytetin Qerbela shkaktuan vdekjen e 170 vetave, të cilët po festonin Hashurenë, një nga ditët më të shënuera të myslimanëve shiitë.

Zyrtarët në Bagdad thonë se tre autorë shpërthimesh vetëvrasëse vranë 58 veta në afërsi të faltores Kazamija të kryeqytetit. Njoftohet se një autor i mundshëm shpërthimesh është arrestuar.

Më në jug, në qytetin e shenjtë shiit të Qerbelasë, një gërshetim sulmesh vetëvrasëse, shpërthime bombash të telekomanduara dhe zjarr mortajash shkaktoi vdekjen e 112 vetave ndërkohë që më shumë se një milion besimtarë ishin mbledhur për ceremonitë fetare përreth xhamisë së Imam Husenit dhe xhamisë Abaz. Më shumë se 400 njerëz u plagosën në këto dy sulme.

Myslimanë shiitë nga gjithë bota kanë shkuar në Irak për të përkujtuar vrasjen në betejë të Imam Huseinit, njëri prej nipave të Profetit Muhamed, më shumë se një mijë e 300 vjet më parë.

Këshilli Qeverisës i dënoi sulmet duke i cilësuar si përpjekje për të shkaktuar përçarje midis popullit irakian dhe shpalli tri ditë zie kombëtare.

Për sulmet e djeshme, kleriku më i lartë shiit në Irak, Ajatollahu Ali al-Sistani, dhe anëtari shiit i Këshillit Qeverisës, Abdel Aziz al-Hakim, fajësuan politikat amerikane të sigurimit. Ata thonë se Shtetet e Bashkuara si forcë pushtuese kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë.

Kryeadministratori amerikan, Paul Bremer, u zotua se do t’i sjellë personat përgjegjës para drejtësisë. Edhe Shtëpia e Bardhë i dënoi shpërthimet, duke thënë se autorët e tyre janë armiq të lirisë në Irak.

XS
SM
MD
LG