Lidhje

Në Kosovë, pasiguria e së tashmes thellon traumat e luftës - 2004-03-03


Lufta në Kosovë shkaktoi shumë trauma, por edhe sot pesë vjet më pas, shenjat e tyre janë të pranishme. Gjendja e keqe ekonomike dhe mungesa e perspektivës janë gjithashtu elementë që pengojnë kapërcimin e traumave. Një organizatë këtu në Washington, Qendra për Kurimin e Mendjes dhe Trupit, po bashkëpunon me specialistët vendas për t’u ardhur në ndihmë njerëzve me shqetësime psikologjike. Drejtori i saj Doktor James Gordon, ka qenë mbi 10 herë në Kosovë dhe para disa ditësh, botoi një artikull në gazetën Washington Post, ku shprehte shqetësimin për një dukuri më parë pothuajse të panjohur në Kosovë: rritjen e rasteve të vetëvrasjes. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, doktor Gordon shpjegon se si kujtimet e luftës, ashtu edhe pasiguria për të ardhmen janë shkaqe për problemet psikologjike.

Zëri i Amerikës: Qendra juaj në Kosovë punon me njerëz që janë të traumatizuar. A mund të na thoni ju lutem se cila është trashëgimia, nëse mund të shprehemi kështu që lufta ka lënë psikologjikisht tek këta njerëz dhe pak më gjerësisht për aktivitetin e qendrës suaj?

James Gordon: Ne kemi punuar në Kosovë, që nga koha e ofensivës serbe në vitin 1998, së bashku me kolegët tanë psikiatër dhe psikologë atje, për të krijuar një program që të ndihmojmë njerëzit që të ndihmojnë veten. Ne kemi kualifikuar të gjithë profesionistët në qendrat shëndetësore, si edhe disa mësues në gjithë Kosovën, për të përdorur teknika ndërgjegjësimi. Kemi vënë re që edhe me mbarimin e luftës, traumat kanë vazhduar. Ka njerëz që kanë humbur fëmijë, anëtarë të tjerë të familjes, njerëz që kanë marrë pjesë në luftë, anëtarë të UÇK-së, njerëz që kanë vuajtur nga humbja e të njohurve, njerëz që kanë vuajtur ekonomikisht. Që nga përfundimi i luftës, kemi parë një rritje të konsiderueshme të problemeve të ndryshme psikologjike, si ndjenja ankthi, depresioni dhe stres pastraumatik. Këto probleme janë shumë të përhapura dhe bëhen shumë më të mprehta kur gjendja ekonomike është e keqe dhe nuk ka shumë shpresë.

Zëri i Amerikës: Pas luftës, numri i vetëvrasjeve në Kosovë është rritur mjaft. Pse është kjo dukuri më shqetësuese në vende si Kosova, sesa në vende të tjera të botës?

James Gordon: Kolegët tanë në Kosovë, psikiatrët dhe psikologët që punojnë me ne janë shumë të shqetësuar, sepse para luftës, për vite me radhë dukej sikur shoqëria, lidhjet e ngushta, familjet e mëdha, i mbronin njerëzit emocionalisht. Që kur mbaroi lufta, jo vetëm që pati humbje të mëdha, përsa u takon të vrarëve, por gjithashtu ka një ndjesi shkëputjeje, mungesë lidhjesh. Shumë familje të mëdha u ndanë, shpesh për arsye ekonomike, kanë ndoshur ndryshime të mëdha në kulturën e jetesës. Shumë njerëz mendonin se kur të ishin të lirë, çdo gjë do të rregullohej dhe në fakt po shohin që gjendja është ende shumë e vështirë. Dhe të gjitha këto kanë luajtur rol në shtimin e rasteve të vetëvrasjeve, që dikur ishin shumë të pakta. Tani përqindja e vetëvrasjeve është e krahasueshme me ato të shumë vendeve të tjera, madje e përafërt me atë në Shtetet e Bashkuara, ku përqindja e vetëvrasjeve është mjaft e lartë.

Zëri i Amerikës: Në kulturën e Kosovës dhe të vendeve fqinje të rajonit në përgjithësi, dega e psikiatrisë nuk është shumë e njohur dhe shumë e përhapur. Sa e rëndësishme është për këta njerëz që të marrin ndihmë profesionale në këtë drejtim?

James Gordon: Departamenti i Psikiatrisë në Spitalin Universitar, mbushet plot me pacientë çdo mëngjes dhe në përgjithësi ata janë njerëz që ndjehen shumë të turbulluar. Kolegët e mi atje janë tepër të ngarkuar, ka shumë pak personel që duhet të ndihmojë shumë njerëz. Puna e qendrës sonë dhe kolegëve vendas, nuk është aq e përqendruar tek kurimi, sesa tek i mësuari i njerëzve për të ndihmuar veten. Shumë njerëz, me përjashtim të atyre që janë shumë të sëmurë, nuk duan të vizitohen tek një psikiatër, nuk duan që të tjerët të mendojnë se kanp probleme psikike. Por ajo që vumë re që në fillim në Kosovë, ishte se po t’i thuash dikujt se do ta ndihmosh për të kapërcyer stresin, se mund t’u mësosh sesi ta bëjnë një gjë të tillë, njerëzit e pranojnë me kënaqësi. Ne nuk i tajtojmë si pacientë dhe nuk u japim ilaçe dhe reagimi i tyre ka qenë shumë pozitiv, në të gjitha grupmoshat. Ne i respektojmë vlerat dhe traditat e tyre, lidhjet e tyre familjare dhe ata e kuptojnë këtë dhe e pranojnë ndihmën tonë.

Zëri i Amerikës: Çfarë parashikoni për të ardhmen: a mendoni që kjo gjendje traumatike do të kalojë së shpejti? Çfarë do të ndikojë që ajo të kalojë sa më shpejt?

James Gordon: Ne po shohim se në nivel kombëtar dhe vendor, udhëheqësit e komunitetit po e ndjekin me vëmendje këtë problem. Ata po bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar të gjitha shërbimet e nevojshme. Por është një proces afatgjatë. Ka shumë njerëz që kanë vuajtur. Por krahas problemeve të stresit, ankthit, për të cilat ne po i ndihmojmë t’i përballojnë, ka edhe faktorë shumë të rëndësishëm ekonomikë dhe shoqërorë. Papunësia e lartë i bën njerëzit të ndjejnë një trysni shumë të fortë. Përsa kohë disa zonave ku varfëria është e lartë, nuk u jepet një lloj ndihme, do të ketë vështirësi të mëdha. Mendoj gjithashtu se pavarësia do të sillte ndryshime të mëdha, përsa i takon industrisë, tregëtisë dhe do t’u jepte njerëzve shpresë për të ardhmen.

XS
SM
MD
LG