Lidhje

Zhvillohen bisedimet e para Prishtinë Beograd për çështjet teknike - 2004-03-04


Grupet e punës për çështjet e energjitikës, filluan sot bisedimet në Prishtinë, nën drejtimin e përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Xholli Dikson.

Delegacioni i Prishtinës përbëhej nga Ali Hamiti, drejtor operativ i KEK-ut, Piet Failing, Drejtor i Përgjithshëm i KEK-ut, Çarles Braun, Pranvera Dobruna dhe Oliver Ivanoviç, ndërsa delegacioni i Beogradit nga zyrtarja për energjetikën e qeverisë së Serbisë, Liliana Haxhibabiq dhe anëtarët Dragan Zllatanoviq, Midrag Maroviq, Dragan Rudoviq dhe Vlldimir Jankoviq. Bisedimet e sotme u konsideruan të mira nga drejtuesi Jolly Dickson, i cili tha se rendi i ditës kishte qenë i kufizuar. Zoti Dickson tha se niveli i përfaqësimit të delegacioneve në takim ishte ai që kishte pritur.

"Ky është niveli që kisha pritur dhe ky është niveli që doja. Ky është një grup pune për të diskutuar bashkëpunimin për çështje teknike që janë shqetësim dhe interes i përbashkët. Nuk duhet të presim që të shkojë në nivelin politik. Ky është një grup teknik dhe do të vazhdojë të jetë kështu. Atmosfera në bisedime për takimin e parë ishte shumë e mirë. Duhet ta lëmë të rritet dinamikën e grupit, por jam optimist për atë që kam parë sot," tha zoti Dikson.

Zoti Dikson tha se u diskutua edhe për rendin e ditës në të ardhmen dhe metodat e punës. Takimi tjetër pritet të mbahet në fillim të prillit. Zoti Dikson tha se ishte shumë i kënaqur me fillimin e procesit dhe se takimi i parë duhet të formojë bazën për një punë të mirë në të ardhmen. Të dy delegacionet, tha ai, do të diskutojnë gjatë kohës midis dy takimeve, për përparësitë që dolën nga takimi i sotëm.

Përfaqësuesi i Këshillit të Evropës nuk komentoi nëse në takimin tjetër të 1 prillit, do të arrihet apo jo ndonjë marrëveshje konkrete dhe shtoi se ende nuk është vendosur programi i bisedimeve. Zoti Dikson tha se ka mundësi që takimi tjetër të mbahet në Beograd.

Kryeadministratori i Kosoves Harri Holkeri mirëpriti sot takimin e parë midis Prishtines dhe Beogradit për çështjet e energjitikës dhe mjedisit, duke thënë se kjo shënon vazhdimin e procesit dhe hap një faqe të re në vendosjen e kontakteve të rregullta për çështje praktike me interes të përbashkët midis Prishtinës dhe Beogradit. Zoti Holkeri, përshëndeti udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për angazhimin e tyre në këtë proces, që siç tha ai, do te jetë në të mirën e të dy palëve.

XS
SM
MD
LG