Lidhje

Holbrooke: Serbia duhet të zgjedhë mes Brukselit dhe Prishtinës - 2004-03-04


Ambasadori Richard Holbrooke, arkitekt i marrëveshjeve të Dejtonit, tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të përparojë më shpejt në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Në komentet që bëri në Nju Jork për Zërin e Amerikës, zoti Holbrooke tha se pavarësia për Kosovën është e pashmnagëshme. Ajo që ka rëndësi, tha ai, është që kjo pavarësi të shoqërohet me garanci të forta për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

Serbia, tha ambasadori Holbrooke, ka përballë saj një alternativë historike: ose të mbetet aty ku është sot dhe të mos hyjë kurrë në Bashkimin Evropian, ose të zgjedhë Evropën në vend të Kosovës, Brukselin në vend të Prishtinës.

Nëse zgjedh Kosovën, tha zoti Holbrooke, ajo nuk do të marrë asnjërën, prandaj serbët duhet të kuptojnë se pavarësia për Kosovën është diçka e pashmangëshme.

Ajo që ka rëndësi, tha zoti Holbrooke, është se kjo pavarësi duhet të shoqërohet me garanci të hekurta për sigurinë dhe për të drejtat fetare dhe politike të pakicës serbe në Kosovë dhe mbrojtjen e monumenteve të tyre fetare dhe historike. Kjo është me rëndësi thelbësore.

Kjo, tha ai, duhet të arrihet me bisedime sa më shpejt që të jetë e mundur nga komuniteti ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Fakti që kanë kaluar më shumë se katër vjet që nga mbarimi i luftimeve, pa bisedime serioze përveç një takimi të drejtpërdrejtë në Vjenë i cili nuk dha asnjë rezultat, është një dështim shumë i madh. Në këtë drejtim duhet ecur përpara, tha zoti Holbrooke.

Së dyti, theksoi ambasadori Holbrooke, Serbia dhe Mali i Zi janë aktualisht në një gjendje të tillë që në Amerikë quhet martesë me detyrim. Ato duhet të lejohet të vendosin nëse dëshirojnë apo që kjo martesë të vazhdojë. Nëse ato lirisht dhe me dëshirën e tyre votojnë për shkëputjen, atëhere ato duhet të lejohen ta bëjnë këtë.

Aty ku dikur ishte Jugosllavia, sot ka 5 shtete. Nëse më lejohet të parashikoj, tha zoti Holbrooke, unë do të thosha se pas pesë vjetësh atje do të ketë 7 shtete. Dhe këtë duhet ta vendosin vetë popujt në mënyrë paqësore.

XS
SM
MD
LG