Lidhje

Boris Trajkovski do të kujtohet si udhëheqës që ndihmoi në uljen e tensioneve etnike - 2004-03-04


Presidenti i Maqedonisë Boris Trajkovski dhe tetë persona të tjerë vdiqën në një aksident ajror në Bosnje. Zoti Trajkovski do të kujtohet si udhëheqës që përdori autoritetin e tij për të ulur tensionet etnike në këtë vend ballkanik si dhe për ta afruar Maqedoninë me komunitetin euro-atlantik.

Në vitin 2001 Maqedonia u ndesh me kryengritje të popullsisë shqiptare. Me ndihmën e Natos, presidenti Trajkovski arriti një armpushim. Ai organizoi bisedime ndërmjet partive kryesore të përfaqësuara në parlamentin maqedonas, të cilat u kurorëzuan me marrëveshjen e gushtit 2001. Nga fundi i vitit 2001 qeveria kishte bërë amendamente kushtetuese dhe filloi miratimin e ligjeve për njohjen e të drejtave të pakicave në Maqedoni, përfshirë edhe komunitetin shqiptar.

Pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit 2002 u formua një koalicion qeverisës shumë-etnik. Ndër anëtarët e koalicionit përfshihet edhe një parti e komunitetit shqipar në të cilën ka edhe ish-pjesëtarë të lëvizjes kryengritëse.

Kushtetuta e Maqedonisë tani njeh të drejtat e pakicave. Gjuha shqipe njihet si gjuhë zyrtare në parlament dhe në dokumentat e identifikimit. Pakicave u është dhënë një përfaqësim në rritje në institucionet qeveritare. Është bërë edhe zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës, një institucion në gjuhën shqipe.

Maqedonia ka arritur tashmë një nivel të lartë qëndrueshmërie politike, tha Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell: "Kur u bëra Sekretar Shteti në janar të vitit 2001, një ndër çështjet e para me të cilat duhet të merresha ishte kriza në Maqedoni. Ky vend po përçahej dhe presidenti i tij i ri, Boris Trajkovski, ndeshej me vështirësi dhe tensione të mëdha në përpjekje për të gjetur zgjidhjen e problemeve që kishte përpara. Ne punuan për zgjidhjen e problemeve duke arritur në fazën aktuale, ku Maqedonia është tani në gjendje të qëndrueshme," tha sekretari Powell .

Maqedonia ka qenë përkrahëse e fortë e luftës globale kundër terrorizmit. Trupat maqedonase janë angazhuar përkrah trupave amerikane në Afganistan dhe Irak. Presidenti Boris Trajkovski punoi për të bërë të mundur që Maqedonia të shndërrohej në një model për nxitjen e tolerancës në një rajon shumë-etnik.

//rd//

XS
SM
MD
LG