Lidhje

Gaza: 6 të vrarë dhe 20 të plagosur - 2004-03-06


Palestinezë ekstremistë përdorën xhipsa të maskuar si makina ushtarake izraelite në një sulm të pasuksesshëm kundër vendkalimit kryesor kufitar midis Rripit të Gazës dhe Izraelit.

6 palestinezë u vranë dhe afro 20 të tjerë, shumica policë palestinezë, u plagosën kur njëra prej makinave shpërtheu pranë postbllokut policor, Në radhët e izraelitëve nuk pati humbje.

Zyrtarë izraelitë dhe palestinezë të sigurimit thonë se dy nga xhipsat shpërthyen para kohe në afërsi të vendkalimit kufitar Erez, në ato që duket se ishin përpjekje të pasuksesshme për sulme vetëvrasëse.

Shoferët humbën jetën në shpërthime dhe ushtarët izraelitë hapën zjarr kundër xhipsit të terë, duke vrarë shoferin dhe njërin prej personave të armatosur.

Grupet Hamas, Brigadat Martire Al-Aksa dhe Xhihadi Islamik morën përgjegjësinë për sulmin, në të cilin mbetën të vrarë edhe dy policë palestinezë. Grupet ekstremiste kishin kërcënuar se do të hakmerreshin për sulmet ajrore izraelite të kohëve të fundit, në të cilat u vranë disa ekstremistë palestinezë.

Shumë palestinezë që punojnë në Izrael zakonisht kalojnë nëpër pikën kufitare Erez, por Izraeli i ka mbyllur të gjitha pikat kufitare që nga dita e enjte për të mos lejuar hyrjen e palestinezëve në Izrael gjatë festës hebraike të Purimit, e cila përfundon të hënën.

Në një incident tjetër, zyrtarë palestinezë në Bregun Perëndimor thonë se një polic 19 vjeçar u vra të shtunën gjatë një përleshjeje me ushtarë izraelitë në qytetin Tulkarem.

XS
SM
MD
LG