Lidhje

Irak: Këshilli Qeverisës ka në plan të nënshkruajë sot kushtetutën e përkohshme - 2004-03-06


Anëtarë të Këshillit Qeverisës të Irakut, i emëruar nga Shtetet e Bashkuara, kanë në plan të nënshkruajnë sot kushtetutën e përkohshme.

Anëtarët kryesorë shiitë të Këshillit Qeverisës thanë se do ta nënshkruajnë kushtetutën, megjithë rezervimet e shprehura më parë.

Pesë anëtarët shi’itë ngritën të premten kundërshtime të reja, pasi udhëheqësi më i lartë i besimit shi’it në Irak, Ajatollahu i Madh, Ali Sistani tha se ai besonte se kushtetuta e përkohshme i jepte shumë pushtet pakicës kurde.

Anëtarët e Këshillit ndryshuan qëndrim dhe thanë se do ta nënshkruajnë dokumentin, pa ndryshime, pas bisedimeve me Ajatollahun Ali Sistani.

Kushtetuta e përkohshme është në plan të hyjë në fuqi kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara t’ia dorëzojë pushtetin një qeverie kalimtare irakiane më 30 qershor.

Në një zhvillim tjetër, forcat amerikane në Irak thanë se persona të paidentifikuar sulmuan dje me raketa një hotel, ku qëndrojnë zyrtarë amerikanë dhe të koalicionit në Bagdad, por nuk shkaktuan plagosje.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane i tha Zërit të Amerikës se 5 raketa goditën hotelin Al-Rashid dje vonë. Zëdhënësi tha se një roje e hotelit u plagos lehtë, por mes forcave të koalicionit nuk pati të plagosur.

Për këtë sulm nuk është arrestuar njeri. Forcat amerikane po hetojnë incidentin.

Ndërkohë, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se një ekip prej 50 avokatësh, prokurorësh dhe hetuesish nga departamenti i drejtësisë do të fillojnë këtë javë punën në Irak për të ngritur akt-padinë për krime lufte kundër Sadam Huseinit.

//ze//

XS
SM
MD
LG