Lidhje

Kandidati demokrat kritikon Presidentin Bush për trajtimin e krizës së Haitit - 2004-03-07


Rivali i pritshëm i Presidentit Bush në zgjedhjet e nëntorit, seantori demokrat Xhon Kerri, e kritikoi presidentin duke thënë se duhet të bënte më shumë, për të mbështetur presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike në Haiti, Zhan Bertrand Aristid.

Në një intervistë me gazetën “Nju Jork Times”, zoti Kerri thotë se, në se do të kishte qënë president, ai do të kishte çuar një të dërguar të posaçëm në Haiti për të shmangur krizën, e cila çoi javën e kaluar në përmbysjen e zotit Aristid.

Zoti Kerri pritet të jetë kandidati demokrat, që do të konkurojë ndaj Presidentit Bush në nëntor. Ai tha se do të kishte qënë i gatshëm të dërgonte menjëherë trupa në Haiti për të mbështetur zotin Aristid. Zoti Kerri thotë se, të veprosh ndryshe, dërgon “një mesazh shumë të dëmshëm”, për vendet e tjera të rajonit.

Shtetet e Bashkuara po luajnë rol kryesor në forcën paqeruajtëse ndërkombëtare që ndodhet në Haiti. Kjo forcë gëzon mbështetjen e plotë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sekretari amerikan i Shtetit Kolin Pauell tha këtë javë se, “zoti Aristid, po drejtonte një qeveri dhe një presidencë gjithë të meta”. “Ai mund të ketë qënë zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha Sekretari Pauell, “por nuk po qeveriste në mënyrë të efektshme, ose demokratike”. //az//

XS
SM
MD
LG