Lidhje

Gjendja e grave imigrante në Shtetet e Bashkuara - 2004-03-07


Më 8 mars, organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International fillon një fushatë globale për t’i dhënë fund dhunës kundër grave. Një nga aspektet krysore në të cilat përqendrohet kjo fushatë është dhuna në familje, një problem shqetësues veçanërisht për shumë gra imigrante në Shtetet e Bashkuara.

Drejtoresha e Programit për Gratë Imigrante Viktima të Dhunës, avokatja Lesley Orloff, thotë se gati 60 përqind e grave imigrante të martuara në Amerikë kanë qenë viktima të dhunës në familje. Një arsye, thotë zonja Orloff, është ligji amerikan që u jep burrave kontrollin mbi statusin e grave për sa i përket imigrimit, burrit i jepet viza dhe gruaja e fëmijët vijnë si vartës të tij. “Faktorë të tillë për jetën e emigrantëve si stresi, problemet ekonomike dhe çështjet kulturore nuk shkaktojnë dhunë në vetvete. Por, këto kushte e bëjnë shumë të vështirë për viktimat të sigurojnë ndihmë, ato i detyrojnë viktimat imigrante të mbeten në marrëdhënie të këqia shumë më gjatë se gratë amerikane.”

Gratë imigrante ngurrojnë t’i raportojnë burrat e tyre pranë autoriteteve. Arsyet për këtë janë të ndryshme. Shpesh është paaftësia për të komunikuar ose frika e izolimit nga komuniteti i tyre. Por në shumicën e rasteve, thekson zonja Orloff, është frika se burri do të hakmerret duke kundërshtuar të përgatisë dokumentet e saj të imigrimit. Për gratë imigrante, thekson avokatja, është me rëndësi ta kuptojnë se ato mund t’u drejtohen shërbimeve kundër dhunës në familje, pavarësisht nga statusi i tyre si imigrante. Shumë imigrante nuk dinë se ku të drejtohen për ndihmë. Zonja Orloff thotë se kjo mund të bëhet në disa mënyra: “Gratë imigrante që jetojnë në komunitete me organizata, tek të cilat ato kanë besim, i këshilloj të kërkojnë ndihmën e tyre. Këto organizata, si kisha apo agjenci shërbimesh shoqërore ose ligjore, do t’i drejtojnë viktimat në vendet ku të gjejnë strehim dhe ndihmën që kërkojnë. Ekziston edhe një linjë e posaçme telefonike që mund të përdoret nga të gjithë. Edhe një polic i thjeshtë, thotë zonja Orloff, mund t’i ndihmojë ato të bien në kontakt me autoritetet.”

Viktimat imigrante të dhunës në familje mund t’u drejtohen të gjitha zyrave që u ofrojnë ndihmë grave amerikane, thotë zonja Orlof, por ato kanë edhe alternativa të tjera.

Gjatë 20 viteve si avokate dhe veprimtare, Lesley Orloff, ka pasur rastin të merret me qindra raste të grave imigrante-viktima të dhunës. Ajo thekson se rastet e dhunës në familje nuk janë më të theksuara në radhët e imigrantëve nga një vend apo kulturë e caktuar. “Çdo kulturë, çdo grup fetar ka njerëz që përdorin dhunën. Kjo është e vërtetë edhe për shoqërinë amerikane. E vetmja gjë që mund të ndryshojë nga një kulturë në tjetrën, janë arsyet që abuzuesi mund të përdorë për të justifikuar aktet e dhunës. Por, ato justifikime nuk merren parasysh nga ligjet amerikane, për shkak se përdorimi i dhunës fizike ose mendore kundër gruas apo fëmijëve në këtë vend është kundër ligjit dhe mund të ndëshkohet me dëbim nga vendi.”

Zonja Orloff është vetë bijë imigrantësh nga Ukraina. Ajo thotë se jeta në një mjedis imigrantësh pati një ndikim të fuqishëm në arritjen e vendimit të saj për t’i kushtuar energjitë ndihmës për gratë imigrante. //az//

XS
SM
MD
LG