Lidhje

Greqi: Demokracia e Re fiton ndjeshëm - 2004-03-07


Opozita konservatore e Greqisë siguroi një fitore të ndjeshme në zgjedhjet e djeshme parlamentare, duke i dhënë kështu fund sundimit të socialistëve për më shumë se 10 vjet.

Përkrahësit vërshuan nëpër rrugë në gjithë Greqinë, pasi Partia Demokracia e Re e Greqisë siguroi një fitore të ndjeshme në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

Anketat e opinionit publik tregojnë se konservatorët fituan rreth 45 përqind të votave në krahasim me rreth 40 përqind të votave të fituara nga Partia Socialiste Pasok. Partia Demokracia e Re do të merrte shumicën dërmuese në parlamentin prej 300 anëtarësh.

Tani që zgjedhjet dhe fushata një mujore tepër e ashpër kanë marrë fund, partisë Demokracia e Re dhe udhëheqësit të saj Kostas Karamanlis, do t’u duhet të fillojnë menjëherë nga puna.

Megjithëse u duk qartë që elektorati grek kishte dëshirë të festonte mbrëmë vonë, 47 vjeçari Karamanlis dhe qeveria e tij e re përballen me një detyrë shumë të madhe, duke filluar që nga sot për të zgjidhur çështje të rëndësishme, përfshirë ribashkimin e Qipros dhe përgatitjet për Lojrat Olimpike të kësaj vere.

Më pak se gjysma e qendrave, ku do të zhvillohen lojrat olimpike janë përfunduar, madje ekzistojnë shqetësime se ndryshimi i qeverisë mund t’i vonojë edhe më shumë përgatitjet tashmë të vonuara për Lojrat Olimpike.

Ndërkohë, zoti Karamanlis, i cili nuk është zgjedhur ndonjëherë më parë në një post zyrtar, do të futet menjëherë në një prej konflikteve diplomatike më të gjatë të botës, ndërsa negociatat me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara për ribashkimin e Qipros, vazhdojnë me zig zage.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara në këtë ishull, Alvara de Soto, u ka bërë thirrje Greqisë dhe Turqisë që të ndërhyjnë për të zgjidhur problemet në planin më të fundit të paqes, madje disa njerëz shqetësohen se zoti Karamanlis mund të mos ketë përvojën e duhur për të zgjidhur një mosmarrëveshje të tillë të ndërlikuar.

Ndërkohë, humbja në zgjedhje është një goditje e rëndë për partinë Pasok, e cila ishte akuzuar për arrogancë dhe favorizime pas 3 fitoresh me radhë në zgjedhje.

Për udhëheqësin e partisë Pasok, Jorgo Papandreu, kjo humbje shënon fundin e një përpjekjeje për t’u matur me babain dhe gjyshin e tij, duke u bërë kryeministër i Greqisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG