Lidhje

Shqipëri: 8 marsi i gjen gratë në pozita të pafavorshme - 2004-03-08


8 marsi i këtij viti e gjen gruan në një gjendje të vështirë në shoqërinë shqiptare. Studiuesit pohojnë se përfaqësimi i grave në institucionet vendim-marrëse të Shqipërisë sa vjen e ulet, ndërsa sakrificat e tyre në familje nënvlerësohen.

Gratë dhe vajzat zënë 55% të popullsisë në Shqipëri, por nuk zotërojnë as 5% të pozitave vendimmarrëse. Sipas vëzhgimeve më të fundit nga Instituti i Statistikave. INSTA dhe burime të pavarura - gruaja është garantuesja kryesore e mbarëvajtjes së familjes shqiptare, edukimit të fëmijëve; ajo sjell në mënyrë të vazhdueshme të ardhura financiare me punë të lodhshme. Por ndonëse bëjnë kaq shumë sakrifica me mbingarkesë në shtëpi dhe në punë, gratë nuk vlerësohen sa duhet.

Analistët vërejnë se pozicioni i gruas në shoqërinë shqiptare nuk është i favorshëm; ndaj saj ka shumë nënvlerësim dhe ushtrohet dhunë, megjithë kontributin e saj në familje dhe në shoqëri.

Drejtoresha e INSTAT, Milva Ekonomi, thotë se gratë e vuajnë papunësinë njëlloj si burrat, kanë të njëtin shkollim me ta, por ato mungojnë ndjeshëm në poste vendimmarrëse.

Specialistët flasin edhe për një traditë të lashtë ballkanike dhe shqiptare të nënshtrimit të gruas, e cila shihet thjesht si balancuese e jetës së burrit. Profesorja e Fakultetit të Shkencave Sociale, Majlinda Bregu, thotë se c’është më e keqja edhe vetë gratë janë pajtuar aq shumë me këtë gjendje, saqë dhuna shfaqet njëlloj sin ë shtresat e ulëta dhe të varfra, ashtu edhe në familjet e pasura e intelektuale. Studiuesit mendojnë se jeta sociale dhe politike në Shqipëri do të kishte një përmirësim të dukshëm, nëse gruas do t’i krijohej një hapësirë më e madhe veprimtarie. //kk//

XS
SM
MD
LG