Lidhje

Cili është roli i Gjykatës së Lartë në SHBA? - 2004-03-08


Që në ditët e para pas krijimit të Shteteve të Bashkuara, vendimet e mara nga Gjykata e Lartë kanë pasur një ndikim të madh jo vetëm tek jeta e amerikanëve, por edhe tek drejtimi i përgjithshëm i qeverisjes dhe i historisë së saj. Cila është Gjykata e Lartë dhe çfarë roli luan ajo në qeverinë amerikane? Avokati Tom Goldstein, i cili ka argumentuar shumë çështje para gjykatës së lartë, i bën asaj këtë përshkrim.

“Gjykata e Lartë është arbitri i fundit i ligjit federal amerikan. Natyrisht që ne kemi sistemin e shteteve si dhe qeverinë federale. Por ne shpesh i referohemi kushtetutës federale, e cila përmban amendamentin e parë, të drejtën e fjalës, amendamentin e katërt, që garanton mbrojtjen nga kontrolli dhe sekuestrimi. Gjykata e Lartë vendos mbi domethënien e statuteve të miratuara nga kongresi dhe të ligjeve federale, madje anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë pushtet mbi dy degët e tjera të qeverisë. Gjykata e Lartë mund t’i thotë presidentit dhe kongresit se ç’duhet të bëjnë. Fjala e tyre është përfundimtare.”

Ndërkohë që Gjykata e Lartë njihet më së miri për vendimet e saj për çështje të brëndshme, kohët e fundit, sipas avokatit Goldstein, puna e saj duket se ka marrë një rëndësi që po njohet edhe jashtë vendit.

“Gjykata po ndeshet për herë të parë ndoshta në një shekull me çështje të mëdha që kanë lidhje me kompetencat e presidentit në kohë lufte, për shkak të çështjeve gjyqësore që kanë rrjedhur nga 11 shtatori 2001. Shtetet e Bashkuara mbajnë të ndaluar njerëz në Guantanamo dhe në baza të ndryshme ushtarake dhe presidenti po i paraqet Gjykatës së Lartë çështjen në se kjo është diçka që duhet vendosur nga gjykatat apo nga vetë presidenti.”

Gjykata e Lartë dhe anëtarët e saj kanë qenë gjithnjë objekt polemikash. Ja për shembull një ngjarje që i ka bërë disa njerëz të dyshojnë se Gjykata mund të bjerë pre e njëanshmërisë. Në janar të këtij viti, anëtari i Gjykatës së Lartë, Antonin Scalia dhe nën-presidenti Dick Cheney shkuan bashkë në një fund jave për gjueti, pak pasi Gjykata e Lartë kishte rënë dakord të pranonte apelimin e nën-presidentit për një çështje të betueshme mbi energjinë. Ekspertët e etikës juridike kanë thënë se kjo ka ngjallur dyshime rreth aftësisë së gjykatësit Scalia për ta gjykuar çështjen me paanshmëri. Ekspertët kanë thënë se zoti Scalia duhet të tërhiqet nga çështja në fjalë.

Glenn Smith, profesor i së drejtës në Fakultetin Juridik të universitetit të Kalifornisë Perëndimore në San Diego, shpjegon se çfarë ka parasysh një gjykatës kur vendos për t’u tërhequr apo jo nga një çështje.

“Çështja e tërheqjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga vendime që pritet të meren nga kjo gjykatë ka qënë gjithnjë kontradiktore. Anëtarët e Gjykatës së Lartë janë përballë të njëjtave standarte që janë të gjithë gjykatësit federalë për sa i përket tërheqjes nga çështje të ndryshme kur ekziston mundësia e njëanshmërisë. Mbi të gjitha problemi qëndron në faktin se standartet janë subjektive.”

Profesor Smith thotë se marrëdhëniet personale, edhe më personale se sa marrëdhëniet midis gjykatësit Scalia dhe nën-presidentit Cheney për të shkuar bashkë për gjueti, në përgjithësi nuk kanë shërbyer si bazë për tërheqjen e gjykatësve nga shqyrtimi i çështjeve të ndryshme. //kk//

XS
SM
MD
LG