Lidhje

Greqi: Të martën shpallen emrat e kabinetit të ri - 2004-03-08


Presidenti grek Costis Stefanopullos i kërkoi udhëheqësit të Partisë Demokracia e Re, Costas Karamanlis që të formojë një qeveri të re, pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet e djeshme parlamentare. Zoti Karamanlis u tha të hënën gazetarëve se do ta shpallë nesër përbërjen e kabinetit dhe qeveria do të bëjë betimin një ditë më pas. Partia e tij konservatore fitoi rreth 45 për qind të votave, ndërsa Partia Socialiste që ka qeverisur Greqinë për 19 vjet ndër 23 vitet e fundit, fitoi 40 për qind të votave.

Udhëheqësi 47 vjeçar i Demokracisë së Re Kostas Karamanlis dhe qeveria e tij e re do të përballen menjëherë me organizimin e Lojrave Olimpike të kësaj vere. Shumë persona po shtrojnë pyetjen nëse udhëheqja e re do ta ndihmojë Greqinë për t’i përshpejtuar përgatitjet për Lojrat Olimpike të këtij viti në Athinë.

Pas zgjedhjeve të së dielës, Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Jacques Rogge u takua me udhëheqësin e ri të Greqisë Costas Caramanlis. Ai e uroi kryemininstrin e ri dhe u kujtoi të gjitha partive premtimin e tyre se rezultati i zgjedhjeve nuk do të pengonte përgatitjet për Lojrat Olimpike.

Zoti Caramanlis tha dje në fjalimin e tij të fitores se “të gjithë, duke punuar së bashku do të bëjmë maksimumin”, për të organizuar lojrat Olimpike më të mira dhe më të sigurta të realizuara ndonjëherë.

Por përgatitjet për lojrat kanë pësuar vonesa nën qeverisjen socialiste dhe nën drejtimin e Ministrit të Kulturës Evangelos Venizelos. Sipas disa njoftimeve në mjetet greke të informimit vendin e zotit Venizelos pritet ta zërë kryeorganizatorja e Lojrave, Gianna Angelopoulos-Daskalaki, që mund të bëhet Ministre e Kulturës, ose Ministre e Lojrave Olimpike. Para se të mbante fjalimin e fitores, zoti Karamanlis u takua me zonjën Angeloupulos, për të diskutuar strategjitë për të rinisur punën.

Komiteti Ndërkombëtar Olimpik kishte shprehur dëshirën që Greqia të caktonte një Ministër për Lojrat Olimpike që do të kishte më shumë kompetenca, duke shmangur kështu problemet burokratike të lidhura me organizimin e tyre. Zoti Caramanlis e ka ftuar kreun e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Jacques Rogge në Athinë dhe të dy ata mund të takohen këtë të shtunë.//kk//

XS
SM
MD
LG