Lidhje

Irak: vriten dy civilë amerikanë dhe përkthyesi i tyre irakian - 2004-03-10


Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, thotë se Byroja Federale amerikane e Hetimeve do të hetojë vrasjen të martën të dy civilëve amerikanë dhe të përkthyesit të tyre irakian.

Të tre këta persona që punonin për Autoritetin Provizor të Koalicionit, u vranë nga persona të armatosur që u paraqitën si policë irakianë në afërsi të qytetit Hillah. Zëdhënësi i koalicionit, Dan Senor, e përshkruajti incidentin si një sulm të organizuar terrorist. Ai tha se nuk është ende e qartë nëse amerikanët u sulmuan për shkak të kombësisë së tyre.

Zoti Senor shtoi se amerikanët ishin personat e parë civilë që punonin për koalicionin, të cilët humbën jetën që nga fillimi i luftës në Irak rreth një vit më parë.

Në një tjetër veprim dhune, 4 policë irakianë u vranë në një përpjekje me armë me anëtarë të njësive së sigurimit të partive shiite. Hollësitë e incidentit në Nasiryah po hetohen.

Ndërkaq, nga shpërthimi i një bombe në qytetin Bakuba, në veri të Bagdadit, u plagos të paktën një person dhe u dëmtuan rëndë zyrat e një partie shiite, Këshillit Suprem për Revolucionin Islamik në Irak. Deri tani askush nuk eka marrë përgjegjësinë për shpërthimin e djeshëm.//ic//

XS
SM
MD
LG