Lidhje

Mbipesha, mund t’ia kalojë pirjes së duhanit si shkak për vdekje të parandalueshme - 2004-03-10


Zyrtarë amerikanë të shëndetësisë thonë se mbipesha dhe mungesa e aktivitetit fizik në Shtetet e Bashkuara ka mundësi që së shpejti të dalin si shkaqe më të forta se pirja e duhanit për vdekjet e parandalueshme. Qeveria amerikane po merr masa për të luftuar këtë problem.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se pirja e duhanit vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Por drejtoresha e kësaj agjencie qeveritare, Julie Gerberding, thotë se vdekjet e lidhura me duhanin brenda një kohe të shkurtër mund të mos përbëjnë më numrin më të madh.

“Duhani dhe mbipesha janë shkaku numër një dhe dy i vdekjeve. Kjo është e ngjashme me atë që kemi vënë re në vitet 90. Por ndryshimi i madh është se mbipesha gati ka dalë në krye si shkaku kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara”.

Doktoresha Gerberding dhe kolegët e saj, në një studim të botuar në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, parashikojnë një kërcënim në rritje nga mbipesha. Ata njoftojnë se duhani ka shkaktuar 100 mijë vdekje më shumë se sa mbipesha në vitet 90, por deri në vitin 2000 kjo diferencë është ngushtuar në vetëm 35 mijë.

“Po qe se vazhdon kjo prirje, mbipesha do të dalë në krye si shkak kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Amerikanëve u duhet të veprojnë për të luftuar mbipeshën. Ne jemi mësuar të bëjmë vlerësime mbi kërcënimet që vijnë nga sëmundjet infektive, por edhe mbipeshën duhet ta vështrojmë si epidemi. Pirja e duhanit dhe mbipesha janë probleme vërtet me përmasa epidemike”.

Sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, së bashku, ato janë përgjegjëse për një të tretën e të gjitha vdekjeve në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, pirja e duhanit është një ves që po zbehet në Amerikë, ndërkohë që po përhapen më shumë ngrënia me tepri dhe mungesa e ushtrimeve fizike. Shoqata Mjekësore Amerikane thotë se dy të tretat e të rriturve amerikane janë mbipeshë ose tepër të shëndoshë. Një studim i kohëve të fundit të botuar në një tjetër periodik të saj, Arkiva të Sëmundjeve të Brendshme, tregoi se mbipesha i kushton Amerikës 90 miliardë dollarë në vit dhe është përgjegjëse për 300 mijë vdekje të parakohshme.

Gerberding e zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë të shëndetësisë kanë shpallur një program mbarëkombëtar që synon rritjen e vetëdijës për rrezikun e këtij problemi. Këtu përfshihen një fushatë lajmërimesh dhe masa për të nxitur komunitetet lokale që të fillojnë programe ushtrimesh fizike. Kurse përsa i përket luftës kundër duhanit, agjencia po i shton numrat e telefonit për të ndihmuar ata individë që duan të heqin dorë dhe për shërbime që lidhen me këtë aspekt.

“Duhet që të gjithë ne të marrim masat e nevojshme për të luftuar duhanin e mbipeshën dhe shkaqe të tjera sëmundjesh të parandalueshme. Personeli i klinikave dhe sistemi ynë i kujdesit shëndetësor duhet të marrin masa dhe ta trajtojnë pirjen e duhanit dhe mbipeshën si kërcënime kryesore të shëndetit. Shkollat duhet të luajnë një rol më të madh që fëmijët të ushtrohen fizikisht dhe të kenë ushqime më të shëndetshme në mencat e shkollave”.

Duke pranuar ekzistencën e problemit epidemik të mbipeshës, restorantet McDonald në Shtetet e Bashkuara kohët e fundit kanë njoftuar se do të heqin racionet e stërmëdha që servirin.//kk//

XS
SM
MD
LG