Lidhje

Shqipëria, vend i vështirë për shtypin e pavarur - 2004-03-11


Në një raport të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, organizate me qender ne Nju Jork, thuhet se lufta e vazhdueshme politike dhe gjendja e dobët ekonomike vazhdojnë ta bëjnë Shqipërinë një vend kaotik dhe të vështirë për shtypin e pavarur.

Raporti shprehet me tone kritike për gjendjen e medias në Shqipëri gjatë vitit që kaloi. Aty thuhet se gjatë 2003-shit, gazetarët shqiptarë u bënë objekt i trysnisë së qeverisë, i padive për shpifje, i pushimeve nga pronarët e politizuar dhe i privimeve nga informacioni qeveritar, sidomos kur hetonin për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Për më tepër, thuhet në raport, standardet e ulta profesionale, theksi tek sensacioni dhe ndikimi financiar i partive mbi shumë mjete të shtypit, u japin gazetarëve pak besueshmëri në publik dhe shpesh e detyrojnë shtypin të vetcensurohet.

Në raport thuhet se një pjesë e mirë e të ardhurave për median shqiptare vjen nga reklamat për kompanitë shtetërore dhe qeveria ka vazhduar ta përdorë këtë joshje për ato mjete informimi që flasin pozitivisht mbi politikat e qeverisë dhe mbi Partinë Socialiste në fuqi.

Gjatë vitit 2003, thotë raporti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, qeveria e kryeministrit Fatos Nano, u mbulua pozitivisht nga tre stacionet televizive kombëtare, Televizioni Shtetëror Shqiptar, Televizioni i pavarur Arbëria dhe Televizioni i pavarur Klan, sepse partia e tij socialiste ruajti një ndikim të fortë mbi Radiotelevizionin Shqiptar dhe Këshillin Kombëtar për Radion dhe Televizionin.

Në disa raste, thuhet në raport, qeveria ka vepruar me dorë të fortë për zbatimin e rregulloreve mbi mdiat. Në muajin gusht, Këshilli Kombëtar mbylli stacionin e pavarur Alba TV për mos pagim të tarifës së transmetimit. Sipas burimeve të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, kjo i frikësoi drejtuesit e mediave të tjera duke krijuar një klimë vetëcensure.//ii

XS
SM
MD
LG