Lidhje

Në vitin e zgjedhjeve, politika përpiqet të bëjë për vete Hollivudin - 2004-03-12


Viti i zgjedhjeve presidenciale e afron politikën me botën e filmit dhe muzikës, këtu në Shtetet e Bashkuara. Politikanët i janë kthyer Hollivudit për përkrahje morale dhe financiare, në garën elektorale.

Hollivudi është mbi të gjitha, një burim të ardhurash për fushatat e politikanëve që kanë nevojë për shuma të mëdha për reklamat televizive. Të shumtë janë ata në Hollivud që s’e kanë për gjë të dhurojnë shumën maksimale të lejuar prej 2 mijë dollarësh për kandidatët. Por ka dhe të tjerë që japin shuma edhe më të mëdha tek partitë politike.

Ndikimi politik i shtetit të Kalifornisë nuk mund të nënvlerësohet. Është një fitore e madhe për kandidatët për president, sepse është shteti amerikan me popullsinë më të madhe dhe ka 55 vota elektorale.

John Kerri që pritet të jetë kandidati i Partisë Demokrate për president, do të shtrojë një darkë në fund të këtij muaji për të grumbulluar fonde në Los Anxhelos, ku çdo pjesëmarrës do të paguajë 2 mijë dollarë. Shumë figura të njohura të Hollivudit kanë në plan të jenë mysafirë të Kerrit.

Ndërkohë Presidenti Bush kohët e fundit arriti të grumbullonte rreth 800 mijë dollarë në një darkë në Los Anxhelos, ku merrnin pjesë disa dhurues të Hollivudit.

Revista Hollivud Reporter njofton se industria e filmit dhe muzikës ka mjaft emra të njohur demokratësh, përfshi këtu edhe pronarë studiosh. Përshembull drejtuesit e studios “Dream Works”, si regjisori i njohurStiven Spielberg janë përkrahës të Partisë Demokrate. Shumë prej tyre kishin lidhje të afërta me Presidentin Klinton.

Gjithashtu edhe aktorët si Martin Sheen, aktori-regjisor, Rob Reiner dhe këngëtarja Barbara Streisand janë demokratë të njohur. Analistët mendojnë se përkrahja e industrisë së filmit është mjaftë e rëndësishme për kandidatët. Ata thonë se amerikanët duan të dinë se çfarë mendojnë regjisorët apo aktorët e famshëm për kandidatët për president. Nga ana tjetër, njerëz të tillë sjellin dinamikë dhe pjesmarrje të madhe në tubimet e kandidatëve.

Revista Hollivud Reporter njofton se edhe Republikanët ndihmohen nga disa drejtues studiosh. Republikanët kanë tendenca më miqësore me afaristët. Kështu që pavarësisht se nga cila parti anojnë, drejtuesit e studiove duke parë interesin e komapanive të tyre, mund te përkrahin Republikanët në disa çështje që kanë lidhje me biznesin.

Por megjithëse demokratët në Hollivud janë të njohur, gjëja më interesante për Kaliforninë është se tre yje të tij kanë mbajtur poste të larta në politikën e këtij shteti, dhe që të tre ishin republikanë. I pari ishte George Murphy, një aktor dhe kërcimtar i viteve 40-50, u bë senator në vitin 1964. Pas tij ishte aktori Ronald Regan, cili u bë dy herë guvernator i Kalifornisë dhe dy herë president i Shteteve të Bashkuara. Dhe në tetor të vitit të kaluar, Arnold Shwarzenegger, u zgjodh guvermator i Kalifornisë.

Kurse nga ana e demokratëve, e vetmja që mbajti një post të lartë në politikë është ish aktorja Helen Gahagan Douglas, e cila shërbeu në Kongresin Amerikan për tre vjet dhe humbi në garën për senat përballë ligjvenësit nga Kalifornia dhe presidentit të ardhshëm Riçard Nikson në vitin 1950. Por si kandidati demokrat ashtu edhe presidenti Bush i cili synon rizgjedhjen, do të priten me përzemërsi nga përkrahësit e tyre në Hollivud.//kk//

XS
SM
MD
LG