Lidhje

Zyrtarë të OKB-së dhe OSBE-së diskutojnë rrugët për efektivitetin e luftës kundër terrorizmit - 2004-03-12


Ekspertë të kundërterrorizmit thanë në një takim në Vienë se komunitetit ndërkombëtar do t’i duhet kohë që të arrijë ta luftojë terrorizmin në mënyrë efektive, madje edhe atëherë, terroristët mund të jenë në gjendje të kryejnë sulme si ato të Madridit.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së përfunduan të premten një takim dyditor ku shprehën vendosmërinë për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për të luftuar terrorizmin pas sulmeve në Spanjë.

Ambasadori i Spanjës në Kombet e Bashkuara, Inocencio Arias, është kreu i Komisionit të Këshillit të Sigurimit për kundërterrorizmit. Ambasadori Arias tha sot se mundësia për të luftuar grupet terroriste është e kufizuar. “Megjithë bashkëpunimin e madh ndërkombëtar, nuk mund të ketë kurrë siguri absolute se terrorizmi do të zhduket, sepse terroristët nuk i reshtin kurrë përpjekjet, mund të parandalhen 49 raste dhe herën e 50-të, ata të jenë të suksesshëm”.

Megjithatë zoti Arias tha se ka hapa që mund të ndërmerren për të dobësuar mbështetjen ndaj terroristëve.

“Nëse terroristët nuk gjejnë strehë në vende të tjera, nëse ata ekstradohen, nëse terroristët nuk lejohen të bëjnë pastrim parash, shanset që ata të veprojnë zvogëlohen nga 1 në 50 raste tek 1 në njëqind”.

Ambasadori Arias tha se organizatat ndërkombëtare po punojnë së bashku për të mos dubluar njëra-tjetrën dhe për të përmirësuar shkëmbimin e informacionit, që të mund të ndalojnë komplotet terroriste në mënyrë më efektive.

Në takimin e kësaj jave, delegatët inkurajuan qeveritë për të rritur masat e sigurisë në aeroporte dhe kontrollet e pasaportave, që të ndalojnë terroristët e mundshëm kur ata përpiqen të udhëtojnë.//kk//

XS
SM
MD
LG