Lidhje

Demokraci për Lindjen e Mesme - 2004-03-13


Popujt në gjithë Lindjen e Mesme po kërkojnë zbatim reformash dhe modernizim. “Pa demokraci, thotë veprimtari kurd nga Siria, Teufik Hamdosh, ne do të ecim prapa ndërkohë që vendet e tjera shkojnë përpara.”

Në një raport të kohëve të fundit të Kombeve të Bashkuara, një grup dijetarësh arabë thotë se vendet arabe janë prekur vetëm përciptas nga vala globale e demokracisë. Dhe kjo mungesë lirie, theksohet në raport, pengon zhvillimin njerëzor. Kjo është edhe arsyeja, thotë Presidenti Bush, që Shtetet e Bashkuara po ndjekin strategjinë e përhapjes së lirisë në Lindjen e Mesme: “Kur udhëheqësit e reformave kërkojnë ndihmë, Amerika do ta japë atë”, deklaroi Presidenti Bush.

Këtë muaj, ndihmës-sekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Mark Grosman, vizitoi disa vende të Lindjes së Mesme për diskutime rreth mënyrave për të mbështetur ata që po zbatojnë reforma. Zoti Grosman theksoi se idetë më të mira për reforma do të vijnë nga vetë arabët. Ideja se ndryshimet mund të imponohen në një farë mënyre nga Shtetet e Bashkuara, tha ai, është krejtësisht e gabuar.

Ndihmës-sekretari i Shtetit, Mark Grosman, theksoi gjithashtu se përpjekja për të mbështetur reformat nuk zëvendëson përpjekjet që Shtetet e Bashkuara po bëjnë për arritjen e paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve. Amerika mbështet me forcë nevojën për krijimin e një shteti palestinez. Por, për realizimin e këtij objektivi, izraelitët, si edhe palestinezët duhet të përmbushin detyrime të caktuara. Dhe përsa i përket palës palestineze, kjo përfshin heqjen dorë nga terrorizmi dhe ecjen drejt demokracisë.

“Nuk ka pikë dyshimi, tha Presidenti Bush, se demokracia është një objektiv realist për gjithë rajonin e Lindjes së Mesme”. “Është gabim të mendohet se kultura dhe fe të mëdha në tërësi nuk pajtohen me lirinë dhe vetqeverisjen. Unë mendoj, tha Presidenti Bush, se Zoti ka mbjellë në në çdo zemër njerëzore dëshirën për të jetuar në liri.”

Demokracia, shteti ligjor dhe liria e fjalës janë të drejta që kërkohen nga të gjithë popujt. //az//

XS
SM
MD
LG