Lidhje

Fushata presidenciale: Fillon “lufta” e reklamave - 2004-03-13


Fushata zgjedhore e presidentit Bush ka filluar një reklamë televizive këtë javë që kritikon kandidatin e mundshëm demokrat, senatorin John Kerry. Kjo reklamë vjen vetëm pak ditë pasi përkrahës të zotit Kerry transmetuan reklamat e tyre në të cilat sulmohej presidenti.

Reklamat e reja të fushatës së presidentit Bush e kritikojnë senatorin Kerry në dy çështje, në kundërshtimin e tij ndaj shkurtimit të taksave nga ana e presidentit Bush dhe për këmbënguljen e tij për një prani më të madhe të Kombeve të Bashkuara në Irak.

“Dhe ai dëshironte të shtynte mbrojtjen e Amerikës derisa sa kjo të aprovohej nga Kombet e Bashkuara. John Kerry - Gabon në taksa dhe gabon në mbrojtjen e vendit”.

Në përgjigje të kësaj, fushata e senatorit Kerry transmetoi reklama ku fushata për rizgjedhje e presidentit Bush akuzohet për sponzorim të siç quhen mesazheve mashtuese dhe negative. Senatori Kerry thotë se reklama e re e presidentit Bush ka për qëllim largimin e vemendjes së opinionit nga çëshjet e vërteta.

“Ekziston një skuadron republikan i cili është i specializuar në shkatërrimin e njerëzve dhe për të mbajtur qendrime negative. Mendoj se presidenti duhet të diskutojë për përparësitë kryesore të këtij vendi”.

Kjo javë karakterizohet nga një luftë reklamash negative ndërmjet kandidatëve presidencialë në këtë fazë të hershme të fushatës presidenciale. Senatori Kerry e gjeti veten në një pozitë të vështirë javën e kaluar kur bëri disa komente negative kundër republikanëve në një fabrikë në Chicago, duke mos qenë i vetëdijshëm se mikrofoni ishte i hapur.

“Ne sapo kemi filluar të luftojmë këtu. Këta janë batakçinjtë dhe gënjeshtarët më të mëdhenj që kam parë ndonjëherë”.

Komentet sollën një reagim të menjëhershëm nga përkrahësit e presidentit Bush përfshirë këtu edhe kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve, zotin Denis Hastert.

“Nëse më pyesni mua, ai ka filluar fushatën e tij në mënyrë shumë të gabuar duke folur keq për të tjerët. Ne nuk gënjejmë kur themi se zoti Kerry është demoktrat tipik, të cilët janë të njohur për ngritjen e taksave dhe shpenzimet e tepërta.”

Është e pazakontë që një president, i cili kandidon për rizgjedhje të flasë për kundërshtarët në mënyrë kaq specifike duke vënë epitete atyre, siç ka qënë rasti i presidentit Bush kundër senatorit Kerry kaq herët në fushatën zgjedhore. Ish presidenti Bush në fushatën e vitit 1992 nuk e përmendi me emër kundërshtarin e tij Bill Clinton deri në gusht të atij viti. Norman Ornstein është një analist në institutin American Enterprise këtu në Washington.

“Dhe ne patëm një zhvillim të pazakonshëm këtë javë kur presideni Bush e sulmoi duke e përmendur me emër kundërshtarin e tij”.

Zoti Orenstein dhe analistë të tjerë thonë se toni negativ kaq herët në fushatë mund të dekurajojë votuesit dhe do ta bëjë më të vështirë për të dy votuesit që të fitojnë vëmendjen e tyre më vonë. Kjo është një gjë e cila e ka shqetësuar edhe ish-presidentin Bill Clinton.

“Nuk më pëlqen kur demonizojmë njerëzit të cilët janë ndryshe nga ne. Ne përpiqemi që të shndërrojmë qëniet tri-dimensionale njerëzore në figura komike dydimensionale”.

Shumë analistë thonë se është tepër herët të thuhet se çfarë efekti do të ketë toni negativ tek zgjedhësit, të cilët do të votojnë në nëntor. Zoti Ornstein thotë se votuesit tradicionalisht i shikojnë zgjedhjet si një referendum për presidentin aktual.

“Kur votuesit të dalin në zgjedhje në nëntor ata nuk do t’i shikojnë barabar George Bushin dhe John Kerryn dhe t’i bëjnë vetes pyetjen se cilin do të duan që të jetë president. Gjëja e parë që ata pyesin është se a meriton presidenti aktual një mandat të dytë”.

Zoti Orenstein thotë se të dy kandidatët po bëjnë gabim që po transmetojnë kaq shumë reklama kaq herët në fushatë. Ai thotë se shumica e votuesve nuk i kushton vemendje fushatës deri pak javë para zgjedhjeve.//kk//

XS
SM
MD
LG