Lidhje

Presidenti Bush dhe demokratët vazhdojnë betejën politike rreth ekonomisë - 2004-03-13


Presidenti Bush dhe rivalët e tij demokratë vazhdojnë betejën në këtë vit zgjedhjesh rreth gjendjes ekonomike të vendit. Presidenti vlerësoi lart përparimin ekonomik të kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e tij.

Ai tha të shtunën në fjalimin e tij të përjavshëm në radio se produktiviteti amerikan është rritur me ritëm më të shpejtë në dy vitet e fundit sesa në çdo periudhë tjetër që nga vitet 1950. Ai vlerësoi edhe shtimin në shitjen e shtëpive, inflacionin e ulët, si edhe përqindjet e ulëta të interesit.

Presidenti thotë se demokratët kërkojnë të ngrenë taksat, kurse demokratët thonë se ekziston një hendek në rritje besueshmërie mes atyre që thotë administrata e Presidentit Bush dhe atyre që ajo bën. Senatori demokrat, Edward Kenedy, i cili u përgjigj në emër të Partisë Demokratike, tha se e vetmja politikë ekonomike e Presidenti Bush është ulja e taksave për të pasurit.

Presidenti Bush tha se shkurtimet e tij rekord të taksave po ndihmojnë në forcimin e ekonomisë amerikane dhe krijimin e vendeve të punës. Në fjalimin e tij në radio, presidenti tha se rimëkëmbja ekonomike po kërcënohet nga demokratët, të cilët kërkojnë të ngrenë taksat.

“Disa politikanë në Washington e kuptojnë këtë sfidë të re dhe kërkojnë të përgjigjen duke u mbështetur në mënyra të vjetëruara e të paefektshme. Ata kërkojnë të rrisin taksat federale, megjithëse ndëshkimi i familjeve dhe i bizneseve të vogla është strategji e gabuar për krijimin e vendeve të punës”, theksoi Presidenti Bush.

Në fjalimin e tij në radio në emër të Partisë Demokrate, Senatori Euard Kenedi tha se ekzison ai që ai e cilësoi si hendek në rritje besueshmërie mes atyre që thotë administrata e Presidentit Bush dhe atyre që ajo bën.

Ai kritikoi planin ekonomik të presidentit, duke thënë se nuk ka arritur të krijojë një milionë vende të reja pune vitin e kaluar, siç kishte parashikuar administrata. Ekonomia amerikane humbi 400 mijë vende pune. Senator Kenedi tha se presidenti e mashtroi vendin përsa u përket armëve të shkatërrimit në masë në Irak dhe se ai nuk po shpenzon sa duhet për reforminin e sistemit arsimor.

Retorika gjithnjë e më e ashpër e fjalimit të përjavshëm të presidentit në radio dhe e përgjigjes demokrate pasqyron një fushatë presidenciale që ka marrë ngjyrime të theksuara partiake 8 muaj para ditës së zgjedhjeve. //kk//

XS
SM
MD
LG