Lidhje

Kur dështojnë shtetet - 2004-03-14


Sot bota ka më shumë vende se kurrë ndonjëherë në histori. Në vitin 1914, në prag të Luftës së Parë Botërore, ishin 55 shtete të njohur në shkallë ndërkombëtare. Sot ka 192 vende sovrane. Por shumë prej tyre po zhyten në kaos politik, varfëri dhe dhunë.

“Është një çështje humanitare brenda shtetit dhe po ashtu edhe një çështje ndërkombëtare për rendin botëror, sepse çdo shtet kufizohet me një tjetër”.

Robert Rotberg është profesor në Universitetin e Harvardit dhe redaktor i librit “Kur shtetet dështojnë”. Ai thotë se shtetet e dështuara paraqesin një problem në rritje në shumë rajone të botës. Ai gjithashtu vë në dukje se dështimi i shtetit në vetvete nuk është një dukuri e re. Por sot, vë në dukje ai, ka një paradoks: siguria relative e kufijve shtetërorë dhe respekti i lartë për sovranitetin kombëtar bën që disa vende të mbeten në prag të dështimit për dekada të tëra.

Por pse dështojnë shtetet? Shumë nga vendet e dobëta janë njësi relativisht të reja, pas koloniale me ekonomi të pazhvilluara, popullsi të përziera etnikisht dhe kufij të vendosur artificialisht. Por Robert Rotberg thotë se shumë vende që i kanë patur këto karakteristika, sot po ecin shumë mirë. Sipas mendimit të tij, problemi i vërtetë qëndron tek cilësia e udhëheqjes së vendit.

“Çdo shtet ka dështuar nga grykësia e një udhëheqësi, ose e klasës në pushtet. Sierra Leone është shembulli më i qartë. Por e njëjta gjë ka ndodhur në rastet e Kongos, Burundit, Sudanit. Në të gjitha këto raste bëhet fjalë për dështim të udhëheqjes. Edhe Somalia është një shembull i tillë”.

Nicolas vand de Walle, një nga autorët e librit dhe Drejtor i Qendrës për Studime Ndërkombëtare në Universitetin Cornell, thotë se ka disa sinjale të ngjashme që paralajmërojnë shkatërrimin e shteteve. Për shembull, një element i ekonomisë politizohet dhe shndërrohet në subjekt të rivalitetit etnik ose rajonal, duke sjellë si pasojë lëvizje të dhunshme që dobësojnë kontrollin e qeverisë në pjesë të territorit.

Nelson Kasfir, profesor në Universitetin e Dartmouthit ka shkruar kapitullin për anarkinë e brendshme të shteteteve të dështuara. Ai thotë se kur qeveritë nuk janë në gjendje të ruajnë rendin, frika dhe grykësia e grupeve të ndryshme ndihmojnë në humbjen e kontrollit.

Ai thotë se dhuna mes fqinjëve me përkatësi të ndryshme etnike ose fetare, shpesh shihet si rezultat i armiqësive të vjetra, apo mospërputhjeve kulturore. Por profesor Kasfir beson se tensione të tilla janë më shpesh pasojë sesa burim i dhunës.

“Ka grupe që duan vetëm të jetojnë në paqe dhe të mbijetojnë. Por shpesh ato dyshojnë se armiqtë e tyre po armatosen për t’i sulmuar. Kështu që ato armatosen për t’i sulmuar. Dhe pas një farë kohe kjo garë jo me shumë peshë mes grupeve të ndryshme sjell më shumë beteja”.

Një tjetër autor, Christopher Clapham mendon se mbase duhen parë edhe forma të tjera organizimi përveç njësive të quajtura shtete. Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar duhet t’i lejojë disa rajone të eksperimentojnë me disa forma organizimi të reja, më pak të ngurta.

Jeffrey Herbst, profesor i shkencave politike dhe çështjeve ndërkombëtare në Universitetit Princeton, thotë se në disa raste është e kotë t’u jepet mbështetjen shteteve të dështuara dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë zgjidhje të tjera. Por Robert Rotberg nuk është kaq pesimist. Ai përmend një numër vendesh që sipas mendimit të tij, i kanë shpëtuar dështimit. Ai thotë se administratat e përkohëshme të OKB-së kanë ndihmuar në vendosjen e qëndrueshmërisë në Kamboxha, Timorin Lindor dhe Kosovë.

Profesor Rotberg thotë se teza e librit është se shtetet e shkatërruara mund dhe duhen ringritur. Nës disa raste duhet të ndërhyjë OKB-ja e në disa raste të tjera një forcë vendase, ose një grup vendesh mund të luajë një rol. Por shumë analistë janë të një mendjeje se shkatërrimi qoftë edhe i një shteti të vetëm përbën një problem ndërkombëtar, pasi mund të destabilizojë një rajon të tërë dhe si pasojë të shkaktojë tronditje për gjithë botën. //kk//

XS
SM
MD
LG