Lidhje

Kosovë: 23 tetori, data e zgjedhjeve të përgjithshme - 2004-03-14


Kryeadministratori i Kosovës Harri Hollkeri, shpalli të dielën në Prishtinë 23 tetorin si datën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Kosovë dhe tha se ato do të zhvillohen sipas sistemit proporcional dhe me lista të mbyllura të kandidatëve.

Zoti Hollkeri e konfirmoi këtë në një konferencë të përbashkët shtypi me nënsekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për operacionet paqeruajtëse, Zhan Mari Geno.

Sipas sistemit që do të përdoret, Kosova është vetëm një njësi zgjedhore dhe zgjedhësit votojnë për partitë dhe jo për kandidatët. Më pas, partitë vendosin në bazë të votave të marra për deputetët e tyre në parlament.

Zoti Hollkeri ka thënë se për rrethanat e Kosovës, sistemi proporcional është më i përshtatshmi. Ai siguroi shoqërinë civile se në këtë mënyrë gratë dhe pakicat do të kenë mundësi të përfaqësohen më mirë.

Lulzim Zeneli, zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha sot për Zërin e Amerikës, se kjo “është zgjidhje reale në bazë të rrethanave të tashme në këtë proces në Kosovë”.

Zoti Zeneli tha se kjo nuk është zgjidhja më e mirë, por shtoi se në të ardhmen, institucionet e Kosovës duhet ta cojnë përpara këtë process, me nxjerrjen e ligjit për zgjedhjet.

Ai shtoi se partia e tij ka ngulur këmbë që kjo çështje të rregullohej me ligj dhe shtoi se për zgjedhjet pas atyre të 23 tetorit, do të duhej që parlamenti i Kosovës ta rregullonte këtë cështje me ligj.

Arsim Bajrami, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, i tha Zërit të Amerikës, se vendimi i sotëm i zotit Hollkeri nuk i ka marrë parasysh kërkesat e shoqërisë kosovare dhe se UNMIK-u ka zgjedhur modelin më të lehtë.

Zoti Bajrami tha se PDK-ja ka mbështetur sistemin zgjedhor me lista të hapura, i cili siç thekson ai, do të sillte një legjitimitet më të fortë të institucioneve dhe një qeverisje më të përgjegjshme.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, tha se partia e tij nuk është e kënaqur me vendimin e shpallur sot nga kryeadministratori Harri Hollkeri.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ernest Luma, i tha Zërit të Amerikës, se vendimi i zotit Hollkeri ishte “arbitrar”. Zoti Luma tha se të gjithë ishin dëshmitarë të kërkesave të vazhdueshme të organizatave dhe grupeve të ndryshme që përfaqësonin kërkesat e qytetarëve të Kosovës, për lista të hapura.

Përfaqësuesit e rrjeteve të shoqërisë civile të Kosovës, protestuan në qytete të ndryshme të Kosovës dhe para selisë së misionit të OKB-së në Prishtinë, duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve me lista të hapura ndërkohë që OSBE-ja nuk doli hapur me qëndrim zyrtar se cilin prej sistemeve zgjedhore përkrahte në Kosovë.//kk//

XS
SM
MD
LG