Lidhje

Një vit pas ndërhyrjes në Irak, administrata amerikane mbron vendimin për luftën - 2004-03-14


Të premten mbushet një vit nga ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe administrata amerikane po e përkujton këtë përvjetor me një seri fjalimesh dhe intervistash nga ana e zyrtarëve të lartë. Tre nga këshilltarët kryesorë të presidentit Bush për Irakun, bënë të dielën komente në televizionin amerikan. Që të tre ata theksuan se një vit pas ndërhyrjes në Irak, bota është bërë më e sigurt.

Këshilltarja amerikane e Sigurimit Kombëtar, Kondoliza Rajs, i tha rrjetit NBC se Iraku nën Saddam Husseinin përbënte një kërcënim më të madh se sa Koreja e Veriut.

“Edhe sot e kësaj dite unë mendoj se fjala ishte për një kërcënim të ngutshëm. Kjo nuk mund të vazhdonte dhe ne jemi sot më të sigurt sepse sot Iraku nuk do të jetë më një shtet armësh të shkatërrimit në masë”, tha zonja Rice.

Në një intervistë për rrjetin televiziv ABC, Sekretari i shtetit Colin Powell, mori në mbrojtje informacion e përdorur për të përligjur ndërhyrjen në Irak. Ai mohoi me forcë zërat sipas të cilëve administrata e Presidentit Bush e zmadhoi rrezikun që paraqiste Iraku, edhe pse atje nuk është gjetur ndonjë armë e shkatërrimit në masë.

“Ne mund të mos i gjejmë arsenalet e armëve, ato mund të mos ekzistojnë më. Por le të mos aludojmë tani se ne e dinim këtë qysh më parë. Ne dolëm para Kombeve të Bashkuara, dolëm përpara botës me informacionin më të mirë që kishim. Asgjë nuk u krijua artificialisht”.

Sekretari Powell theksoi përparimin e bërë në Irak gjatë vitit të fundit dhe vuri në dukje se vendi po bën hapa drejt demokracisë ndërkohë që transferimi i pushtetit në duart e irakianëve do të bëhet në fund të qershorit. Duke folur në emisionin e programit CBC, sekretari i mbrojtjes, Donald Rumsfeld theksoi se vendi është në rrugën e duhur dhe vuri në dukje rritjen e shpejtë të numrit të irakianëve që po hyjnë në forcën e tyre të re të sigurimit kombëtar.

“Ne po bëjmë përparim shumë të mirë për sa i përket forcave irakiane të sigurimit. Mbi 200 mijë irakianë janë stërvitur, pajisur dhe dislokuar për të garantuar sigurinë. Në Irak po vriten më shumë forca irakiane të sigurimit se sa trupa amerikane”, tha ai.

Me rastin e një vjetorit të ndërhyrjes në Irak, Presidenti Bush do të mbajë të enjten një fjalim në Fort Campbell të shtetit Kentucky. Të premten ai do të vizitojë ushtarët e plagosur në një spital ushtarak dhe do të flasë para ambasadorëve të vendeve që kanë kontribuar për koalicionin e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, trupat e të cilit hynë si në Irak edhe në Afganistan.//kk//

XS
SM
MD
LG